De Jong: Nëse Messi të këshillon, duhet ta dëgjosh sepse ai është më i miri në botë

  • 08 June 2020 - 08:44
De Jong: Nëse Messi të këshillon, duhet ta dëgjosh sepse ai është më i miri në botë

Frenkie de Jong është duke u mësuar me jetën në Barcelonë dhe zbulon se është duke marrë këshilla taktike nga Lionel Messi, të cilat thotë se duhet të dëgjon patjetër sepse vijnë nga, siç e quan ai, lojtari më i mirë në botë.

Përfaqësuesi i Holandës është duke e luajtur sezonin e parë në Camp Nou, pasi iu bashkua Barçës nga Ajaxi për 75 milionë euro verën e kaluar.

Ai mbërriti në La Liga si njëri prej mesfushorëve të rinj me të ardhmen më të ndritur, pasi kishte shkëlqyer për Ajaxin në ecurinë e paharrueshme deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve në vitin 2019.

Jo gjithmonë gjërat kanë shkuar sipas synimit të 23-vjeçarit, megjithatë, pasi ai ende është duke u përshtatur me jetën në një vend të ri me bashkëlojtarë të rinj në një pozitë të re në fushë.

Edhe pse për Ajaxin luante në qendër të mesfushës, ish-trajneri i Barçës Ernesto Valverde e vendoste atë në krah të mesfushës. Ndërsa tani, Quiquen Setien, i cili e zëvendësoi Valverden në janar, po e përdor në një rol më sulmues më përpara në fushë.

“Në Ajax dhe në ekipin kombëtar të Holandës kam rol tjetër, por ne po luajmë me dy mesfushorë mbrojtës. Më duhet të përshtatem dhe po shkon mirë. Mund të përmirësohem”, tha De Jong për BBC.

“Luaj më së miri kur luaj më në mbrojtje, por jo edhe si mesfushor sulmues”.

De Jong shtoi: “Nëse Lionel Messi të japë këshilla duhet t’i pranosh sepse ai është lojtari më i mirë në botë, pa diskutim. Nëse ai të këshillon, duhet ta dëgjosh. Nganjëherë ai thotë se duhet të jem më mbrapa në mesfushë apo në krah, janë gjëra të vogla por që e bëjnë dallimin”.

(Kosova Sot Online )