Pjanic i refuzon PSG-në dhe Chelsean, e do vetëm Barcelonën

  • 08 June 2020 - 09:19
Pjanic i refuzon PSG-në dhe Chelsean, e do vetëm Barcelonën

Miralem Pjanic është shumë i vendosur t’i bashkohet Barcelonës gjatë kësaj vere, aq i vendosur saqë ka hedhur poshtë oferta të majme nga dy klube të mëdha evropiane, Paris Saint-Germain dhe Chelsea.

Mesfushori i Juventusit ka qenë afër kalimit në Barcelonë në të kaluarën dhe nuk dëshiron që kjo mundësi t’i kalojë pa e shfrytëzuar edhe tani.

Largimi i boshnjakut nga Torino në afatin kalimtar të kësaj vere është pothuajse i sigurt, duke qenë se ai nuk bën pjesë në planet taktike të trajnerit Maurizio Sarri.

Për më tepër, ai është në kërkim të një sfide të re dhe ishte shumë i lumtur kur Barcelona u pajtua me Juventusin për ta shkëmbyer Athur Melon me të.

Megjithatë, Arthur nuk pranoi t’i bashkohet Juventusit dhe dy klubet kanë ngecur në bisedimet mes vete për të gjetur një zgjidhje.

30-vjeçari ka kontratë me Juven deri në vitin 2023 dhe vlerësohet se kushton 50 milionë euro në treg.

Ai thuhet ta ketë hedhur poshtë kalimin në PSG apo Chelsea, sepse dëshiron me cdo kusht të luajë në Camp Nou nga sezoni i ardhshëm.

(Kosova Sot Online )