Meçi i tretë Fury-Wilder në një stadium të madh në Ditën e Krishtlindjes

  • 08 June 2020 - 11:48
 Meçi i tretë Fury-Wilder në një stadium të madh në Ditën e Krishtlindjes

Tyson Fury dhe Deontay Wilder e kanë marrë një ofertë që ta zhvillojnë trilogjinë në një stadium australian në Ditën e Krishtlindjes.

Meçi i tretë mes tyre për titullin e botës në peshat e rënda në WBC pritet të zhvillohet në nëntor apo dhjetor, por duhet patjetër të bëhet para tifozëve, sipas Arum, promotorit të kampionit britanik Fury.

Promotori australian Dean Lonergan ka dhënë hollësi për propozimin e tij që trilogjia të zhvillohet në këtë vend.

“Sugjerimi është që meçi të mbahet në stadiumin e quajtur Bankwest, i cili i zë rreth 45 mijë persona. Në atë kohë do të jetë mesi i verës në Australi”, tha Lonergan.

Australia është vetëm njëri prej vendeve të shumta të propozuara për trilogjinë Fury-Wilder. Ndër vendet më të përfolura janë Kina dhe Las Vegasi.

Në meçin e parë mes tyre në dhjetor të vitit 2018 nuk pati fitues pasi gjyqtarët vendosen për një barazim kontrovers.

Ndërsa në rimeç në shkurt të këtij viti, Fury e rrahu Wilderin me nokaut në rundin e shtatë.

(Kosova Sot Online)