Prishtina: Vokrri realizoi ëndrrat e çdo shqiptari

  • 09 June 2020 - 08:17
Prishtina: Vokrri realizoi ëndrrat e çdo shqiptari

Klubi me të cilin Fadil Vokrri debutoi si profesionist, Prishtina, e ka kujtuar legjendën e futbollit në dyvjetorin e vdekjes së tij. Bardhekaltrit kanë kujtuar karrierën e Vokrrit me Prishtinën, përderisa shkruajnë se ai i kishte realizuar ëndrrat e çdo shqiptari me sukseset e tij në futboll.

Fadil Vokrri ndërroi jetë në mënyrë tragjike më 9 qershor të vitit 2018, pas një sulmi në zemër. U nda nga jeta në moshën 57-vjeçare, por vlerësohet se në kohën sa ishte kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës ka vënë themelet e forta të futbollit kosovar.

“Prijësi i gjeneratës së “viteve të arta” të Prishtinës, fanellën e së cilës ka veshur për gjashtë vite, 1980-1986, ka qenë, është dhe do të mbetët inspirim në karrierën e çdo futbollisti që do të lind në këto troje”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga klubi kryeqytetas.

“Vokrri, me Prishtinën pati realizuar ëndrrat e të gjithë shqiptarëve nga Ulqini në Preshevë e deri në Strugën e largët, duke arritur majat e futbollit të atëhershëm”.

“Rreth 172 ndeshje zyrtare dhe 55 gola të shënuar për gjashtë vitet e tij në kryeqendrën e Kosovës, adhuruesit e Prishtinës nuk do ta harrojnë asnjëherë”.

(Kosova Sot Online )