Brazili tërheq kandidaturën për organizimin e Kupës së Botës

  • 09 June 2020 - 09:20
Brazili tërheq kandidaturën për organizimin e Kupës së Botës

Federata e Futbollit e Brazilit (CFB) e ka tërhequr kandidaturën për organizimin e Kupës së Botës së Grave 2023, duke u thirrur në shqetësimet financiare shkaku krizës së sjellë nga koronavirusi.

CFB-ja ka thënë se qeveria braziliane nuk e vlerësonte si veprim të arsyeshëm ofrimin e garancisë financiare, të cilën e  kërkonte FIFA nga vendet që kishin kandiduar për ta fituar të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2023.

Brazili i ka organizuar disa gara prestigjioze ndërkombëtare gjatë viteve të fundit, përfshirë këtu Kupën e Botës 2014, Lojërat Olimpike 2016 dhe Kupën e Amerikës 2019, mirëpo CFB-ja thotë se ata ndienin që s’kishin mundësi ta organizojnë edhe një tjetër garë të madhe.

Kështu, Brazili do t’u bashkohet Kombëtareve të tjera nga Amerika e Jugut që po e mbështesin kandidaturën e Kolumbisë për ta fituar të drejtën e organizimit të kësaj gare.

Tani që Brazili është tërhequr, në garë mbetet Kolumbia, Japonia dhe kandidatura e përbashkët e Australisë dhe Zelandës së Re. Fituesi do të shpallet nga FIFA më 25 qershor.

(Kosova Sot Online )