Jurgen Klopp: Do ta shohim sërish Gotzen e vjetër

  • 09 June 2020 - 13:10
Jurgen Klopp: Do ta shohim sërish Gotzen e vjetër

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, e ka shprehur bindjen e tij se Mario Gotze është ende lojtar i jashtëzakonisht, përderisa i uroi yllit të Borussia Dortmundit fat në klubin e tij të ardhshëm.

Mario Gotze ishte vlerësuar si njëri ndër talentet më premtues nën drejtimin e Jurgen Kloppit në Borussia Dortmundit mes viteve 2009 dhe 2013.

Fituesi i Kupës së Botës e ndihmoi Dortmundin t’i fitojë pesë trofe të mëdha, përfshirë këtu dy tituj të Bundesligës, para se të transferohej te rivali Bayern Munich.

Megjithatë, ai nuk i arriti pritshmëritë e krijuara për të në Allianz Arena dhe u kthye sërish në Dortmund në vitin 2016.

Periudha e dytë e Gotzes në Dortmund ka qenë e karakterizuar nga problemet shëndetësore, që ia kanë kufizuar minutat e lojës dhe kontributin në skuadër mesfushorit.

28-vjeçari do të largohet nga klubi kur t’i përfundojë kontrata në fund të sezonit, siç është konfirmuar edhe nga klubi gjerman, dhe pritet ta provojë fatin e tij jashtë Gjermanisë. Gjatë javëve të fundit është spekuluar për një ribashkim potencial me Kloppin në Liverpool, mirëpo Klopp beson se ai duhet të shkojë ku mund të luajë më rregullisht.

“Të gjithë e dinim se kontrata e tij po shkonte drejt fundit. Nëse nuk është ndërmarrë diçka gjatë vitit paraprak, atëherë kjo të lë të kuptosh se gjithçka po shkon drejt fundit”, ka thënë Klopp.

“Marios do t’i duhet t’i luajë disa ndeshje radhazi. Atij i duhet një klub që ia jep ndjenjën që s’do të duhet ta ndryshojë botën në çdo ndeshje. Në vend të kësaj, ai thjesht duhet të luajë normalisht dhe të luajë e të luajë. Pastaj do ta shohim sërish Mario Gotzen e vjetër”.

“Natyrisht kjo nuk është e mundur në Dortmund për momentin për shkak të cilësisë që e kanë ata në fazën e sulmit. Është plotësisht e kuptueshme që ai do të largohet. I uroj atij shumë fat, sinqerisht”.

“Mendoj se ai është një lojtar i jashtëzakonshëm dhe ka edhe personalitet të jashtëzakonshëm. Më pëlqen ai me të vërtetë shumë dhe ia uroj më të mirat”. 

(Kosova Sot Online)