Kante rikthehet në stërvitje, pas mungesës së gjatë nga frika prej koronavirusit

  • 09 June 2020 - 17:04
 Kante rikthehet në stërvitje, pas mungesës së gjatë nga frika prej koronavirusit

N’Golo Kante është rikthyer në stërvitje të plota me bashkëlojtarët e Chelseat, një javë para rifillimit të sezonit 2019/20 në Premierligë, në mënyrë që t’iu ndihmojë të kaltërve të luftojnë për një vend në top katërshe.

Fituesi i Kupës së Botës kishte marrë leje për të stërvitur i vetëm në shtëpi, para se më vonë të stërviste i veçuar në qendrën stërvitore të klubit, pasi kishte shprehur frikë për sigurinë e vet nga pandemia koronavirus.

Kante ishte përgatitur për të munguar deri në fillim të sezonit të ri – me bekimin e trajnerit Frank Lampard dhe bordit të klubit – por befasoi të martën paradite kur iu bashkua shokëve të skuadrës në qendrën stërvitore.

Mesfushori 29-vjeçari, të cilit i kishte vdekur vëllai nga sulmi në zemër pak para Kupës së Botës 2018, kishte stërvitur fillimisht me bashkëlojtarë kur nuk lejohej kontakti, por pastaj ndërroi mendje duke qëndruar në shtëpi.

Chelsea do ta rifillojë sezonin në Premierligë kundër Aston Villas më 21 qershor në Villa Park.

Skuadra e Lampardit renditet në vendin e katërt me tri pikë më shumë se Manchester Unitedi, kur kanë mbetur edhe nëntë ndeshje për t’u zhvilluar deri në përfundim të sezonit.

(Kosova Sot Online)