Southgate kërkon të mos privilegjohen të bardhët në futboll: Ky është krimi më i madh

  • 10 June 2020 - 08:39
Southgate kërkon të mos privilegjohen të bardhët në futboll: Ky është krimi më i madh

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate, i ka inkurajuar të gjithë në futbollit të punojnë për t’i dhënë fund privilegjit që e kanë personat e bardhë në krahasim me komunitetet e tjera, duke thënë se ka qenë dëshmitar i diskriminimeve në bazë të racës.

Pas vrasjes së amerikanit George Floyd në Minneapolis, në SHBA dhe në shumë vende të tjera në botë janë organizuar protesta kundër racizmit dhe brutalitetit policor, ndërsa edhe në futboll vëmendja është kthyer te mënyrat e ndryshme të diskriminimit.

Ylli i Manchester Cityt, Raheem Sterling, theksoi se lufta kundër racizmit është sfida më e rëndësishme me të cilën po përballet shoqëria dhe ai shtoi se s’beson që ish-yjet e Anglisë, Sol Campbell dhe Ashley Cole, janë diskriminuar në karrierën e tyre si trajnerë në krahasim me Frank Lampard e Steven Gerrard, vetëm për shkak të racës së tyre.

Southgate beson se pengesat për trajnerët me ngjyrë është krimi më i madh në botën e futbollit dhe ka bërë thirrje që rruga e karrierës së të gjithëve të jetë e njëjtë.

“Mendoj se Ashley Cole është duke u zhvilluar shumë mirë si trajner dhe ai është në rrugë të ngjashme me Stevenin – në aspektin që edhe Steven punoi në akademinë e Liverpoolit për dy-tre vjet”, ka thënë Southgate.

“Në pikëpamje më të gjerë, neve na mungon përfaqësimi. Krimi më i madh për ne është nëse ne, si të rritur, i shohim fëmijët duke menduar se një karrierë është e pamundur për ta, ose që nuk është lehtë e qasshme”.

“Unë e dëgjova Jermain Defoen teksa fliste para disa ditëve. Ai tha: “A ia vlen t’i kryej kurset për t’u licencuar si trajner?” Ne duhet t’i shmangemi situatave që i bëjnë njerëzit të mendojnë se s’mund të arrijnë diçka sepse kjo e ul interesimin nga ata”.

“Ne duhet të sigurohemi që të gjithë kenë mundësi ta dëshmojnë veten nëse janë të kualifikuar dhe të aftë. Pastaj, natyrisht, ata duhet t’i shfrytëzojnë ato mundësi. Nëse ata arrijnë sukses, atëherë do të jenë shembuj për atë që është e mundur për gjeneratën e ardhshme”.

(Kosova Sot Online )