“Vetëm xhelozët s’e duan Ronaldon”

  • 10 June 2020 - 09:38
“Vetëm xhelozët s’e duan Ronaldon”

Bashkëlojtari i Cristiano Ronaldos në ekipin kombëtar të Portugalisë, Costinha, ka thënë se ylli i Juventusit është aq i fiksuar pas arritjes së përsosmërisë saqë mërzitet edhe nëse e humb një goditje të vetme në stërvitje.

Pesë-herë fituesi i Topit të Artë, Cristiano Ronaldo, vlerësohet si njëri ndër lojtarët më të mirë në histori të futbollit, pasi që ka thyer rekorde të shumta gjatë karrierës së tij me Manchester Unitedin, Real Madridin dhe tani me Juventusin. Megjithatë, ai kritikohet nga shumë tifozë rivalë të cilët theksojnë se si reagon me zemërim Ronaldo kur bashkëlojtarët bëjnë pasime të gabuara ose kur dikush tjetër gjuan në momentet kur Ronaldo është në pozitë më të mirë për të shënuar gol.

Por, Costinha beson se bashkëkombësi i tij nuk do të kishte qenë lojtari që është sot nëse nuk do të kërkonte me ngulm të jetë sa më i mirë që të mundet çdo ditë në stërvitje.

Kjo i ishte dëshmuar atij kur e kishte vizituar kampin e Real Madridit para ndeshjes gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut në vitin 2012. Ai ishte ftuar aty nga ish-trajneri i tij në Porto, Jose Mourinho, dhe e kishte parë sesi reagonte Ronaldo.

“Lojtarët e Real Madridit po i stërvitnin goditjet kundër portierëve dhe, nga 20 goditje gjithsej, Ronaldo e humbi një. Shumica e lojtarëve të tjerë i humbnin nga gjashtë deri në dhjetë”, ka thënë Costinha.

“Kur ai e humbi goditjen, të gjithë filluan ta ngacmojnë dhe ai u mërzit shumë. Ai pastaj e kapi një shportë plot topa dhe shkoi t’i ushtronte goditjet e tij i vetëm. Kjo e tregon karakterin e tij. Ai nuk ia lejon vetes ta humbë asnjë rast”.

“Kjo është shumë e rëndësishme. Disa njerëz e shohim atë duke u zemëruar në fushë sepse ndonjë pasim s’është i mirë apo dikush e bën një goditje të keqe dhe e keqkuptojnë atë. Por, karakteri i tij është i tillë. Ai është një djalosh dhe futbollist fantastik”.

(Kosova Sot Online )