Godet Ibrahimovic: Ky Milan nuk është ai që ishte dikur

  • 11 June 2020 - 10:39
Godet Ibrahimovic: Ky Milan nuk është ai që ishte dikur

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, e ka vënë në dyshim punën e shefit ekzekutiv të kuqezinjve, Ivan Gazidis, i cili e kishte vizituar qendrën stërvitore te klubit Milanello për të njoftuar se lojtarëve do t’iu zbriten pagat.

Milani ka vendosur t’i besojë udhëzimeve të Gazidis për t’i ulur pagat dhe për të punuar në rilindjen e kuqezinjve.

Klubi e ka pranuar njëkohësisht edhe kërkesën e bërë nga lojtarët para pesë ditëve, që nënkupton se ata do ta marrin 50% të pagës për muajin prill ndërsa muajt e tjerë do të paguhen të plotë.

Por gjatë takimit, sipas mediave të ndryshme italiane, Ibrahimovic ka ndërhyrë duke krijuar debat të nxehtë.

38-vjeçari ka ngritur pikëpyetje për mungesën e Gazidis në javët e fundit, sepse lojtarët nuk e kishin takuar atë që prej 4 majit.

“Pse ke munguar kaq gjatë por tani shfaqesh papritmas 48 orë para ndeshjes gjysmëfinale?” ka pyetur Zlatan, sipas Il Corriere dello Sport.

Ai po i referohej takimit të kthimit gjysmëfinal kundër Juventusit, i cili do të luhet këtë të premte.

Sulmuesi suedez më pasi kishte adresuar çështje të tjera të cilat i vlerëson si problematike në klub, duke thënë: “Ky nuk është Milani që ishte dikur, ka shumë pasiguri tani”.

Gazidis i ishte përgjigjur: “Po, e vërtetë, Milani nuk është ai që ishte sa i përket suksesit dhe financave”.

(Kosova Sot Online )