Rrëfimi i Mike Tysonit për përleshjen e vetme gjatë kohës sa ishte në burg

  • 12 June 2020 - 08:52
Rrëfimi i Mike Tysonit për përleshjen e vetme gjatë kohës sa ishte në burg

Ish-boksieri legjendar, Mike Tyson, e ka rrëfyer një incident që kishte përfunduar si përleshja e tij e vetme gjatë kohës sa kishte qenë i burgosur.

“Mike i hekurit” u dënua me gjashtë vjet burgim në vitin 1992 pasi u shpall fajtor në akuzën për përdhunim. Ai u lirua nga burgu në vitin 1995, pasi i kaloi tre vjet i burgosur.

Duke folur në programin e tij “Hotbxin’ with Mike Tyson” këtë javë, ish-boksieri e diskutoi historinë e përleshjes të tij të vetme gjatë asaj periudhe sa kishte qenë në burg.

“Vetëm një herë m’u desh ta grushtoja dikë në burg. Dikush tha diçka  dhe unë vetëm iu afrova dhe e godita. Na mbyllën për ca kohë dhe ishte thjesht diçka që më kishte irrituar dhe kisha shkuar për ta goditur”, ka kujtuar 53-vjeçari.

Ai gjithashtu zbuloi se një tjetër i burgosur ishte therur me thikë atë ditë dhe të gjithë të burgosurit ishin detyruar të rrinë nëpër qeli për një kohë.

Burgosja e Tysonit kishte qenë lajm i madh në vitet e 90-ta dhe ai gjithmonë ka insistuar se nuk e kishte përdhunuar Desiree Washingtonin.

“Unë e dija që isha i pafajshëm. E dija nga procedurat gjyqësore dhe nga ajo që po ndodhte, por e dija edhe se do të shpallesha fajtor. E dija mentalitetin e gjykatës dhe mentalitetin e prokurorit”, kishte thënë Tyson, në një intervistë pasi ishte liruar nga burgu.

Pasi ishte liruar nga burgu, Tyson ishte kthyer në botën e boksit dhe kishte vazhduar duke i fituar titujt WBC dhe WBA në kategorinë e peshave të rënda.

(Kosova Sot Online )