Xhiroja nis me një superndeshje në Prishtinë: Ballkani për pozitën e liderit, Flamurtari për mbijetesë

  • 12 June 2020 - 11:02
Xhiroja nis me një superndeshje në Prishtinë: Ballkani për pozitën e liderit, Flamurtari për mbijetesë

Xhiroja e 24-të e Ipko Superligës së Kosovës do të nisë sot në orën 17:00 me një superpërballje mes Flamurtarit dhe Ballkanit, ndërsa interesante do të jetë edhe sfida tjetër, mes Dukagjinit dhe Feronikelit.

Flamurtari – Ballkani

Pas dy barazimeve radhazi që nga rinisja e futbollit në Kosovës – pas ndërprerjes tremujore shkaku i koronavirusit – Ballkani do të tentojë ta rimarrë kreun e tabelës, të paktën përkohësisht, me një fitore sot në kryeqytet.

Barazimi i xhiros së kaluar kundër Drenicës bëri që Ballkani ta humbë pozitën e liderit, duke mbetur dy pikë prapa Dritës. Megjithatë, nëse djemtë e Ismet Munishit sot arrijnë t’i shfrytëzojnë rastet, siç nuk bënë në ndeshjen e fundit, atëherë mund ta marrin kreun e tabelës sërish.

Klubi nga Suhareka megjithatë s’do ta ketë të lehtë ta mposhtë Flamurtarin sot në Prishtinë, pasi që edhe klubit kryeqytetas i duhen pikët e kësaj ndeshje për të mos e rrezikuar rënien nga liga, që do të thotë se pritet të bëhet luftë e ashpër për tre pikët.

Këto dy skuadra ishin takuar edhe në javën e 11-të, kur Ballkani kishte fituar si vendas me rezultat 3:1, si dhe në javën e 22-të, kur Flamurtari fitoi si vendas me rezultat 2:1.

Dukagjini – Feronikeli

Ndeshja tjetër që do të zhvillohet sot është ajo mes Dukagjinit dhe Feronikeli, e cila do të nisë në orën 17:00 në stadiumin 18 Qershori në Klinë. Feronikeli vjen në këtë ndeshje pas dy rezultateve të mira – fillimisht barazimit me Ballkanin si mysafir për gjysmëfinalen e parë të Kupës së Kosovës, dhe pastaj fitores në fundjavë me rezultat 3:1 kundër Vushtrrisë.

Djemtë e Afrim Tovërlani do të tentojnë ta vazhdojnë formën e mirë duke marrë rezultat pozitiv edhe nga ndeshja e sotshme kundër Dukagjinit, që e ka pothuajse të sigurt rënien nga liga këtë sezon, pasi që ka grumbulluar vetëm dhjetë pikë nga 23 ndeshjet e zhvilluara dhe radhitet në pozitën e fundit në tabelë.

Ndeshja e parë mes këtyre dy skuadrave ishte zhvilluar në xhiron e gjashtë, kur Feronikeli kishte fituar si mysafir me rezultat 2:0, dhe sërish në xhiron e 17-të, kur Feronikeli sërish triumfoi, këtë herë me rezultat 4:2 dhe si vendas.

(Kosova Sot Online )