Football Leaks: Të dhënat që çuan deri te dënimi i Man Cityt nga UEFA

  • 12 June 2020 - 15:50
Football Leaks: Të dhënat që çuan deri te dënimi i Man Cityt nga UEFA

Manchester City po e pret vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, ku e ka apeluar vendimin e UEFA-s për ta dënuar me pezullim dyvjeçar nga garat evropiane dhe 30 milionë euro për shkelje të rregullave të ndershmërisë financiare. UEFA i kishte nisur hetimet pasi gazeta gjermane Der Spiegel i kishte zbuluar mënyrat e parregullta të financimit të Manchester Cityt, falë të dhënave nga Football Leaks. Artikullin e Der Spiegel, që çoi deri te ky dënim i Manchester Cityt.

Edhe nëse kthehemi prapa në kohë deri në vitin 1880, kur Anna Connell e themeloi klubin e Manchester Cityt për t’i mbajtur qytetarët e papunësuar larg alkoolit, familja Al Nahyan ishte duke e qeverisur Abu Dhabin. Për këtë familje, ideja e pronësisë së një klubi të futbollit ishte po aq e largët sa shkretëtira për qytetasit e Mançesterit , shkruan Der Spiegel, transmeton

Por, 128 vjet më vonë, në shtator të vitit 2008, Manchester City dhe familja Al Nahyan u bashkuan dhe pasojat e këtij bashkimi kanë qenë mjaft dramatike.

Ish-klubi mediokër nga pjesa lindore e Mançesterit është tani ndër klubet më të mira në Evropë, si rrjedhojë e sponsorizimit të jashtëzakonshëm të Abu Dhabit.

Që nga ardhja e sheikut, Manchester City ka arritur t’i mashtrojë të tjerët në rrugën për t’u bërë një ndër klubet më të mëdha në futbollin evropian. Lavdia e re e këtij klubi është e rrënjosur në gënjeshtra.

“Aguuueeeroooooo!” Një emër, një britmë e zhurmshme. Çdo tifoz i Manchester Cityt e njeh këtë britmë të Martin Tylerit më 13 maj të vitit 2012. Ata e dinë se ku ishin në atë moment, 93 minuta dhe 20 sekonda pasi kishte filluar ndeshja e fundit e sezonit. Manchester Cityt i nevojitej një fitore për ta fituar Premierligën për herë të parë në 44 vjet dhe e arritën këtë gjë.

Për tifozët e Manchester Cityt, titulli i Premierligës ishte një mrekulli, por, sipas kritikëve të klubit, kjo gjë kishe qenë e pashmagshme. Kritikët ishin në dijeni se investimi i Mansour bin Zayed Al Nahyanit në klubin anglez i kishte shtrembëruar principet e konkurrencës. Kontratat e sponsorizimit ishin aty vetëm për t’i maskuar paratë e Abu Dhabit në klub, akuzë kjo që klubi e ka mohuar vazhdimisht.

Manchester City luan në stadiumin Etihad dhe fanellat e klubit janë të sponsorizuara nga Etihadi. Kjo kompani e aeroplanëve, nga Abu Dhabi, drejtohet nga gjysmë-vëllai i Mansourit. Kompania Etisalat dhe ministria e turizmit nga Abu Dhabit gjithashtu janë sponsorë të klubit. Për më tepër, edhe kompania e investimeve nga Abu Dhabi, Aabar, i sjell miliona euro në vit klubit anglez.

Mancini ia solli titullin e parë të Premierligës, mirëpo ai u bë shumë shpejt viktimë e ambicies së shefit të tij. Vetëm një vit pas këtij triumfi, ai u shkarkua pasi që nuk arriti ta përsërisë suksesin.

Logjika e pronarit është: Nëse nuk funksionon, duhet të zëvendësohet. Por, vetëm disa javë pasi Mancini u shkarkua, UEFA doli me rregulla të reja për transferimet. Rregullat e reja, Financial Fair Play (FFP), specifikonin se klubet nuk mund të shpenzojnë më shumë para sesa që fitojnë.

Manchester City ishte në rrezik pasi që ata e bënin pikërisht këtë gjë, investonin më shumë sesa fitonin. “Ne jemi në deficit për 9.9 milionë euro pas shkarkimit të Mancinit. E vetmja zgjidhje është nëse i rrisim përfitimet nga sponsorët nga Abu Dhabi”.

Në këtë mesazh, menaxheri i Cityt e zbuloi se klubi i tij bën biznes më ndryshe se klubet e tjera.

Zakonisht, klubet e tjera veprojnë kështu: futbollistët arrijnë të sigurojnë fitore, ata tërheqin një audiencë më të gjerë, ndeshjet e klubit transmetohen në televizione dhe sponsorët e mundshëm interesohen. Këta sponsorë nënshkruajnë kontrata për ta paguar një shumë të caktuar parash për ta reklamuar kompaninë te klubi. Këto para bëhen pjesë e buxhetit të klubit dhe me to paguhen lojtarët, agjentët dhe gjëra të tjera. Kur klubi nuk e bën planifikimin siç duhet, ose shpenzon më shumë për planin e biznesit, klubi deklaron humbje në fund të vitit dhe duhet t’i ulë shpenzimet.

Por, Manchester City nuk shpenzon si klubet normale. Humbje dhe kredi? Nuk ka rëndësi. Nëse klubi është në humbje, atëherë vendlindja e pronarit dërgon më shumë para në klub. Dënimet janë vetëm për ata që zihen duke mashtruar.

Për t’iu ikur dënimeve nga UEFA, menaxheri i Manchester Cityt, Simon Pearce, propozoi: “Ne mund ta bëjmë një marrëveshje që kinse e kemi nënshkruar në të kaluarën, dhe mund të shtojmë para”. Ndërsa, drejtori ekzekutiv, Ferran Soriano, sugjeroi që sponsorët të paguanin para shtesë për triumfin në FA Cup, ndeshje kjo të cilën Manchester City e kishte humbur.

Dhjetë ditë pas përfundimit të sezonit, zyrtari për financa në klubin anglez, Jorge Chumillas, e prezantoi planin e tij. Etihadi duhet të paguante 1.8 milionë euro më shumë, Aabar 0.8 milionë, ndërsa ministria e turizimit 6 milionë më shumë. Të gjitha këto para u shtuan për t’i mbuluar humbjet në fund të vitit në mënyrë që të mos dënohen nga UEFA.

Klubi dhe sponsorët ishin duke i manipuluar kontratat. Kur Chumillas e kishte pyetur kolegun e tij, Simon Pearce, nëse mund ta ndryshojnë datën e pagesës nga sponsorët e Abu Dhabit, Pearce i ishte përgjigjur: “Natyrisht, ne mund të bëjmë çfarëdo që të duam”.

Raportet financiare të Manchester Cityt ishin si një rrjetë merimange e përbërë nga gënjeshtrat, klubi i shkeli të gjitha rregullat e FFP-së. Simon Pearce kishte thënë në dhjetor të vitit 2013 se nga Etihadi ata i fitojnë vetëm 8 milionë euro në vit, por kontributi i vërtetë i kësaj kompanie ishte 38 milionë euro.

Ky tekst është pjesë e serisë prej katër artikujve të gazetës gjermane Der Spiegel për manipulimet që i ka bërë viteve të fundit Manchester City. Informatat dhe dokumentet e përdorura për t’i dëshmuar këto pretendime janë siguruar nga Football Leaks, pasi hakerët e sulmuan FIFA-n dhe shumë klube. 

(Kosova Sot Online)