Napoli-Inter, kush do të jetë kundërshtari i Juves n’finale?

  • 13 June 2020 - 10:18
Napoli-Inter, kush do të jetë kundërshtari i Juves n’finale?

Napoli dhe Interi do të përballen në Stadiumin San Paolo për të përcaktuar edhe ekipin e dytë finalist të edicionit të 73 të Kupës së Italisë, finale që ishte programuar fillimisht për t’u luajtur në kryeqytet më 13 maj, ndërsa pas shtyrjes së gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit takimi përmbyllës i këtij edicioni është përcaktuar që të zhvillohet të mërkurën e ardhshme, pra më datë 17 qershor.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Gennaro Gattuso nis aktin e dytë të kësaj gjysmëfinaleje tepër i favorizuar, duke marrë në konsideratë rezultatin e ndeshjes së vajtjes, që u mbajt në Milano më datë 12 shkurt.

Në San Siro përpara 59.600 spektatorëve diferencën e bëri pikërisht goli i vetëm i ndeshjes i shënuar nga mesfushori spanjoll Fabian Ruiz në 57’, kështu që në duelin e kthimit ekipi vendas ka luksin për të luajtur për dy rezultate.

Në anën tjetër, Antonio Conte e ka përgatitur ekipin për një përmbysje, e ndihmon edhe fakti se qëndron më mirë se Napoli në përbërje, pasi ka gjithë futbollistët e gatshëm për sfidën e sotme që do të zhvillohet nga ora 21:00.

Juve është tashmë finalisti i parë dhe po pret rivalin me të cilin do të luftojë për trofeun e parë të sezonit javën e ardhshme.

(Kosova Sot Online )