Rivaldo: Përkundër dëshirës së tij, Messi ka nevojë të pushojë

  • 13 June 2020 - 16:54
 Rivaldo: Përkundër dëshirës së tij, Messi ka nevojë të pushojë

Ish-ylli i Barcelonës, Rivaldo, beson se kapiteni i katalonasve, Lionel Messi, nuk do të dëshirojë të pushojë aspak deri në fund të sezonit 2019/20, mirëpo insiston se argjentinasi duhet të pushojë nëse Barcelona krijon epërsi në krye të tabelës së La Ligës.

Barcelona do të kthehet në fushën e lojës sot në mbrëmje, me ndeshjen si mysafire kundër Real Mallorcas. Ende mbetet të shihet se çfarë roli do ta luajë Lionel Messi në këtë ndeshje, pasi që argjentinasi e pësoi një lëndim të lehtë pas nisjes së stërvitjeve në Spanjë.

Pa marrë parasysh se sa minuta lojë do t’i luajë në këtë ndeshje të parë, gjashtë-herë fituesi i Topit të Artë pritet ta ketë një rol vendimtar në shpresat e Barcelonës për ta fituar jo vetëm ligën, por edhe Ligën e Kampionëve.

Gara për titullin e kampionit të Spanjës nuk parashikohet të jetë aspak e lehtë, pasi që Barcelona ka epërsi prej vetëm dy pikësh ndaj Real Madridit në krye të tabelës. Megjithatë, Rivaldo beson se trajneri Quique Setien duhet ta menaxhojë mirë Messin dhe t’i ofrojë atij pushim kur të ketë mundësi.

“Lionel Messi i ka pasur disa probleme fizike gjatë javës së fundit, kështu që ka shumë diskutime se a do të luajë ai për 90 minuta të plota në ndeshjen e Barcelonës kundër Mallorcas të shtunën”, ka thënë Rivaldo.

“Barcelona është dy pikë larg Real Madridit në krye të tabelës, kështu që gara për titull është e ngushtë. Nëse Barcelona mund të krijojë epërsi, atëherë ata mund ta pushojnë Messin në disa ndeshje”.

“Do të jetë e rëndësishme që Quique Setien ta menaxhojë skuadrën e tij mirë. Siç e dimë, Messi është gjithmonë në garë për çmimin si golashënuesi më i mirë në La Liga dhe gjithmonë e bën diferencën në skuadër, kështu që ai dëshiron të jetë gjithmonë në skuadër dhe është e vështirë që trajneri ta ulë atë në stol”.

“Ai lufton edhe Topin e Artë çdo sezon dhe kjo është në mendjen e tij rregullisht, kështu që nuk mund t’i shkosh Messit dhe thjesht t’i thuash “pusho””.

(Kosova Sot Online)