Januzaj i reagon ish-trajnerit të Unitedit: S’po e thua të vërtetën, kaq e thjeshtë është

  • 13 June 2020 - 17:35
 Januzaj i reagon ish-trajnerit të Unitedit: S’po e thua të vërtetën, kaq e thjeshtë është

Adnan Januzaj i është kundërpërgjigjur ish-trajnerit të tij në Manchester United, Louis van Gaalit, i cili kishte thënë se përfaqësuesi belg me prejardhje shqiptare nuk i kishte shfrytëzuar mundësitë që ia kishte dhënë dhe për këtë arsye s’i kishte dhënë vend në skuadër.

Adnan Januzaj iu bashkua Djajve të Kuq në vitin 2011, ndërsa kaloi te ekipi i parë në vitin 2013. Ai ishte në stol për ndeshjen e fundit të Sir Alex Fergusonit para pensionimit, ndërsa debutoi kur David Moyes e mori drejtimin e skuadrës.

Nën Moyes, Januzaj arriti ta fitojë dashurinë e tifozëve dhe një vend në formacionin e parë, megjithatë kur erdhi Louis Van Gaal ai luajti më pak dhe pasi kaloi në Dortmund dhe Sunderland në huazim, u transferua përfundimisht në Real Sociedad në vitin 2017.

I pyetur për fatin e Januzajt në Manchester Unitedit, Van Gaal kishte sugjeruar se belgu nuk i kishte shfrytëzuar mundësitë që ia kishte dhënë ai. Ndërsa, së fundi kësaj deklarate iu përgjigj 25-vjeçari.

“Epo, Louis Van Gaal, unë me të vërtetë s’kam nevojë ta mbroj veten kundër tij, thjesht shikoni statistikat”, ka thënë Januzaj.

“Kurdo që unë e bëja diferencën në ndonjë ndeshje me një asist apo gol, për ndeshjen vijuese isha në stol. Njëjtë ndodhi edhe me Memphis Depay”.

“Nëse ai thotë se na kishte dhënë mjaftueshëm mundësi, atëherë nuk po e thotë të vërtetën, është kaq e thjeshtë. Për fat të mirë, ka shumë njerëz në Manchester United që dinë si të më vlerësojnë”.

“Ryan Giggs është njëri ndër personat të cilëve u kam më së shumti borxh në Manchester United. Kur ai ishte lojtar, ai më këshillonte dhe kam mësuar shumë nga ai edhe kur ai ishte trajner”.

“Kur ai nuk luante më, më tha se e meritoja numrin e tij, 11. Unë gjithmonë do t’i jem mirënjohës për atë veprim, më tregoi se sa shumë më vlerësonte. Tani kemi më pak kontakt mes vete, por gjithmonë do të kem mundësi ta kontaktoj atë. Ai është shembullor”.

(Kosova Sot Online)