Liverpooli s’është ndër klubet më të mëdha angleze, thotë ish-sulmuesi i të kuqve

  • 14 June 2020 - 14:37
Liverpooli s’është ndër klubet më të mëdha angleze, thotë ish-sulmuesi i të kuqve

Ekipi i Liverpoolit nga sezoni 2019/20 nuk do të mbahet në mend si njëri prej ekipeve më të mira angleze, thotë Stan Collymore, dikur sulmuesi në Anfield.

Të kuqtë janë vetëm gjashtë pikë larg titullit të parë në epokën e Premierligës, pasi i kanë lëshuar vetëm katër pikë nga 29 ndeshje në ligë deri tani dhe, edhe pse sezonin nuk do ta mbarojnë të pamposhtur, ende kanë mundësi ta thyejnë rekordin për më së shumti pikë brenda një sezoni në histori të ligës.

Por Collymore beson se skuadra e Jurgen Kloppit mund të quhet vetëm ekip i mirë, duke argumentuar se ajo asnjëherë nuk është takuar me një kundërshtar me cilësi të krahasueshme.

Kampioni në fuqi, Manchester City, për shembull, ka dështuar ta gjejë formën më të mirë këtë sezon, pasi i ka humbur shtatë nga 28 ndeshjet deri tani – një rënie e madhe për një ekip i cili i kishte humbur vetëm gjashtë ndeshjeve në përgjithësi në dy sezonet e fundit.

“Liverpooli është ekip i mirë dhe me meritë do ta fitojë titullin pas dy ndeshjeve”, shkroi ai për Mirror.

“Por, derisa do ta festoj suksesin e ish-klubit tim, unë do ta pranoj se dominimi i tij nuk është për shkak se ekipi i Jurgen Klopp ka qenë shumë i mirë, por sepse shumë prej ekipeve të tjera kanë qenë tepër të dobëta, njëkohësisht”, shtoi ai.

“Mbizotërimi i Liverpoolit nuk është shenjë se ne po e shohim ekipin më të mirë të të gjitha kohëve, por fakt se vetëm një numër i vogël i klubeve janë në gjendje t’i mbushin skuadrat me lojtarë sepse e kanë buxhetin më të madh. Liverpooli është i jashtëzakonshëm, por a do të njihet si njëri prej klubeve më të mëdha në histori të futbollit anglez? Jo, për arsyet që i ceka më lart”, përfundoi ai. 

(Kosova Sot Online)