Lewandowski: S’e kam arritur ende kulmin

  • 16 June 2020 - 09:23
Lewandowski: S’e kam arritur ende kulmin

Sulmuesi i Bayern Munichut, Robert Lewandowski, thotë se ai nuk është i përqendruar te gara për Topin e Artë, mirëpo insiston se ai nuk e ka arritur ende kulmin e karrierës dhe se gjithçka është e mundur në këtë garë.

Robert Lewandowski nuk ka qenë asnjëherë në top treshe për çmimin prestigjioz individual. Në garën për Topin e Artë, ai është ranguar më së miri në vitin 2015, kur u radhit i katërti.

Megjithatë, 31-vjeçari ka gjasa më të mira të jetë në garë për Topin e Artë këtë vit, pasi që i ka shënuar 45 gola në të gjitha garat këtë sezon, duke e ndihmuar kështu Bayernin në rrugën drejt një titulli të tetë radhazi të Bundesligës.

Nëse skuadra e Hansi Flick arrin ta fitojë edhe Kupën e Gjermanisë dhe Ligën e Kampionëve këtë sezon, atëherë Lewandowski do të ishte një kandidat i fuqishëm për t’u bërë vetëm lojtari i dytë që ai merr këtë çmim Lionel Messit ose Cristiano Ronaldos që nga viti 2007.

“Unë isha në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në dhjetor të vitit të kaluar”, tha polaku në një intervistë të dhënë për France Football, që grumbullon votat për këtë çmim.

“Do ta shohim. Ajo që unë tentoj ta bëj është që dua ta tregoj më të mirën nga vetja, të fitoj trofe dhe të shënoj sa më shumë gola. Por, kjo është diçka që vjen me trofe ekipore. Kjo është gjëja më e rëndësishme”.

“Unë as që mendoj për Topin e Artë, edhe pse besoj që gjithçka është e mundur në këtë jetë. Unë nuk jam ende në periudhën më të mirë të karrierës sime, do të jem së shpejti”.

“Por, këto të gjitha janë vetëm shifra. Unë jam i bindur se momentet më të mira të karrierës sime do të vijnë së shpejti. E di që kjo nuk është kontrata ime e fundit, dua të luaj për një kohë më të gjatë dhe të qëndroj në formë”.

(Kosova  Sot Online )