UEFA pritet të vendosë për formatin e ri të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve

  • 16 June 2020 - 09:31
UEFA pritet të vendosë për formatin e ri të këtij edicioni të Ligës së Kampionëve

Përderisa futbolli në Evropë po vazhdon të kthehet përmes kampionateve dhe kupave vendore, UEFA pritet të lajmërojë për formatin që do të përdoret për vazhdimin e Ligës së Kampionëve, në një takim të së mërkurës, ku do të diskutohet edhe për EURO 2020.

Liga e Kampionëve ka qenë e suspenduar që nga mesi i marsit, para se të kompletohej faza e 1/8 të finales, përderisa të gjitha aktivitetet sportive u ndërpre shkaku i koronavirusit.

Fillimisht, organi qeverisës i futbollit evropian kishte shpresuar se do të mundë ta përfundonte sezonin në Ligën e Kampionëve – bashkë me Ligën e Evropës dhe Ligën e Kampionëve të vashave – deri në fund të qershorit.

Megjithatë, shpejt u bë e qartë se ky synim është i paarritshëm dhe UEFA tani po punon për rinisjen e garës në gusht. Gara pritet të rinisë me disa risi, si ndryshimin e formatit dhe zhvillimin e ndeshjeve të mbetura në Lisbonë.

Pasi të zhvilloheshin edhe ndeshjet e mbetura të 1/8 të finales, të gjithë çerekfinalistët do të shkonin në Lisbonë të Portugalisë për t’i zhvilluar ndeshjet çerekfinale, gjysmëfinale dhe finale me sistem të “Final Eight”, që do të thotë se çerekfinalet dhe gjysmëfinalet s’do të kenë sistem vajtje-ardhje, por fituesi do të vendoset nga një ndeshje e vetme.

Në takimin e së mërkurës të Komitetit Ekzekutiv pritet të vendoset pikërisht për format, sipas së cilit finalja do të zhvillohej më 23 gusht. Në këtë takim pritet të diskutohet edhe për Kampionatin Evropian.

(Kosova Sot Online )