Yllin e Unitedit e “shëron” prifti nga lëndimet duke e goditur e bekuar

  • 16 June 2020 - 11:02
Yllin e Unitedit e “shëron” prifti nga lëndimet duke e goditur e bekuar

Ylli i ri i Manchester Unitedit, Angel Gomes, kishte kërkuar ndihmë për lëndimet e tij të shpeshta te një prift protestant nigerian, TB Joshua, i cili e cilëson veten si “shërues”.

Së fundi është publikuar në rrjete sociale një video e talentit të Manchester Unitedit, Angel Gomes, nga të paktën para tre vjetëve, ku Gomes e identifikon veten si lojtar 16-vjeçar të Manchester Unitedit dhe thotë se prindërit e tij janë tifozë të mëdhenj të Kishës Sinagoge të të Gjitha Kombeve (SCOAN) të Joshuas.

“Unë kam pasur probleme me lëndime. Kam pasur lëndime në zonën e ijëve, që më ka ndikuar shumë në lojë dhe e kam pësuar edhe një lëndim në kyçin e këmbës. Këto lëndime erdhën në një moment të gabuar për mua, kur po bëja vend në ekip të parë dhe kur po shkoja në një turne”, thotë Gomes në videon e publikuar.

“Për shkak të këtij dhe pasi që familja ime i shikojnë videot e tua, unë mendova se kjo do të ishte një mundësi e mirë që të vij dhe të prekem nga profeti”.

TB Joshua pastaj fillon ta godasë e ta bekojë futbollistin, para se t’i thotë se tashmë e ka shëruar.

“Unë ndjeva diçka brenda meje si një lloj tronditjeje, isha i befasuar dhe nuk mund ta përshkruaj me të vërtetë si u ndjeva. Tani po kthehem në realitet”, tha Gomes, i cili më vonë i bëri disa vrapime dhe ushtrime për ta dëshmuar se është shëruar.

Tani futbollisti ka reaguar në llogarinë e tij në Twitter, duke thënë se ai kishte qenë i vogël kur kishte shkuar atje dhe se e bëri atë pasi që prindërit e tij mendonin se kjo ishte më e mira për të.

“Sa i përket videos që nga dalë nga viti 2016. Unë vij nga një familje e krishterë dhe, në atë kohë, nëna ime ishte tifoze e priftit dhe ajo me të vërtetë donte që unë të shkoja. Unë po përballesha me disa gjëra. E kuptoj që nga jashtë duket një çmenduri, por unë vetëm po e praktikoja besimin tim”, shkroi Gomes.

“Nuk pata nevojë ta sqaroj me të vërtetë veten, por shumë njerëz më kanë pyetur se çfarë ishte ajo video. Unë isha i ri në atë kohë dhe nëse prindërit mendonin se diçka do të më bënte mirë, unë do ta bëja atë. Ka probleme shumë më të rëndësishme në botë të cilat mund t’i sfidojmë”, shkroi më tutje Gomes. 

(Kosova Sot Online)