Kryeministri britanik ndërron mendje, shkaku i fushatës së Rashfordit

  • 16 qershor 2020 - 15:05
Kryeministri britanik ndërron mendje, shkaku i fushatës së Rashfordit

Qeveria britanike ka vendosur ta krijojë një fond të quajtur “fondi për ushqimet verore Covid” për t’i furnizuar nxënësit  në Angli me ushqime falas gjatë pushimeve, pas një fushate të nisur nga futbollisti i Manchester Unitedit, Marcus Rashford.

Të gjithë fëmijët që i plotësojnë kriteret për të marrë ushqime falas nga shkollat në Angli do të marrin racione falas për gjashtë javët e pushimit veror. Lajmin e ka konfirmuar vetë qeveria britanike, e cila më parë kishte thënë se nuk do ta bënte një gjë të tillë.

Kryeministri Boris Johnson tha se e mirëpret “kontributin e Rashfordit në debatin rreth varfërisë”.

Ky fond do t’u kushtojë taksapaguesve 120 milionë dollarë, të cilat do të shfrytëzohen për t’i furnizuar me ushqim të gjithë fëmijët e varfër që s’kanë burim tjetër përveç racioneve që u jepeshin në shkolla gjatë kohës sa ato janë të hapura.

Në një letër të hapur drejt kryeministrit të postuar të hënën, sulmuesi i Manchester Unitedit rrëfeu për përvojën e tij – se si ishte varur nga ushqimet falas shkollore teksa ishte duke u rritur.

Në përgjigje ndaj këtij vendimi të qeverisë, Rashford shkroi në llogarinë e tij: “Vetëm shikojeni se çfarë mund të bëjmë kur bashkohemi të gjithë. Kjo është Anglia në vitin 2020”.

Familjet e fëmijëve që plotësojnë kritere për këto racione kanë qenë duke marrë ndihma gjatë karantinës, megjithatë këto ndihma pritej të përfundonin në Angli në fund të vitit akademik, vendim ky që tani është tërhequr prapa falë fushatës së Rashfordit.

(Kosova Sot Online)