Rashica s’arrin të kthjellet: 16 ndeshjet e fundit në ligë, asnjë gol

  • 17 qershor 2020 - 09:43
Rashica s’arrin të kthjellet: 16 ndeshjet e fundit në ligë, asnjë gol

Ylli kosovar Milot Rashica nuk arriti t’i japë fund ecurisë pa shënuar gol në Bundesligë që nga muaji dhjetor, gjatë humbjes me rezultat 1:0 të Werder Bremenit kundër Bayern Munichut në ndeshjen e së martës.

Goli i fundit i Milot Rashicës në Bundesligë erdhi në 14 dhjetor të vitit të kaluar, pikërisht në ndeshjen kundër Bayernit, të cilën megjithatë Bremeni e humbi me rezultat 6:1,.

Që nga atëherë, Rashica nuk ka arritur të shënojë gol, përkundër që i ka zhvilluar plot 16 ndeshje të tjera në ligën gjermane, por ka kontribuar me dy asiste – kundër Hertha Berlinit më 7 mars dhe kundër Schalkes më 30 maj.

Rashica kishte shpresuar se do t’i jepte fund kësaj ecurie duke u kthyer sërish me gol kundër Bayernit. Por, përderisa ekipi i tij doli me rezultat më të mirë, përkundër që humbi 1:0, nga kjo ndeshje, Rashica individualisht u vlerësua me dobët.

Nga gjithsej 62 minuta lojë, Rashica dështoi ta bëjë edhe një tentim të vetëm drejt portës, duke regjistruar zero goditje brenda dhe jashtë kuadratit të portës. Ai ishte gjithashtu i pasuksesshëm në tentimin e tij të vetëm për driblim.

I përfshirë 21 herë në lojë, ai i bëri nëntë pasime, në të cilat ishte 60 për qind i saktë. Megjithatë, ai ishte i saktë në dy nga tri tentimet e tij për pasime të gjata, si dhe i fitoi katër nga pesë duelet që i pati me kundërshtarët në fushë. Por, ai e humbi duelin e vetëm ajror që e pati gjatë ndeshjes.

Rashica e humbi topin gjithsej shtatë herë gjatë ndeshjes, iu shkaktua ndërhyrje e parregullt dy herë nga lojtarët e Bayernit, ndërsa u zu në pozitë jashtë loje një herë gjatë ndeshjet.

Përderisa nuk arriti të kontribuojë aq sa do të kishte dashur në sulm, Rashica u erdhi në ndihmë bashkëlojtarëve në repartin e mbrojtjes, me tri ndërhyrjet e sakta ndaj lojtarëve të Bayernit.

Për këtë paraqitje, Rashica u vlerësua me notë 6.6 – më mirë se tre bashkëlojtarë të tij dhe më keq se shtatë të tjerë dhe njëjtë me njërin.Bremeni do të shpresojë që Rashica të mundë të kthehet në formën e tij të vjetër për ndeshjen e radhës, atë kundër Mainz 05, për ta vazhduar kështu garën për mbijetesë në Bundesligë.

(Kosova Sot Online  )