Silva: Messi apo Ronaldo? S’është e debatueshme

  • 17 June 2020 - 13:39
Silva: Messi apo Ronaldo? S’është e debatueshme

Ylli i Manchester Cityt, Bernardo Silva, thotë se debati se kush është më i miri mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos nuk është “i debatueshëm”, pasi që beson se tifozët e futbollit duhet t’i shijojnë të dy futbollistët.

Mesfushori i Manchester Cityt është bashkëlojtar i Cristiano Ronaldo në ekipin kombëtar të Portugalisë, ndërsa së bashku ata kishin arritur t’ia fitonin titullin vendit të vet në Ligën e Kombeve.

Silva thotë se përvoja e të stërviturit dhe luajturit përkrah sulmuesit të Juventusit ka qenë shumë e veçantë, si dhe e ka lavdëruar portugezin për etikën e punës që e ka ai.

“Do të jetë e veçantë dhe unike t’u tregoj fëmijëve dhe nipave e mbesave se unë kam asistuar ndonjë gol të Ronaldos”, ka thënë Silva.

“Ai është një shembull për të tjerët edhe në fushë e edhe jashtë saj. Me Portugalinë, ne stërvitemi në mëngjes, pastaj më vonë të gjithë luajnë me karta ose PlayStation, por ai shkon të bëjë ushtrime fizike”.

“Në momentet e mëdha, kur neve na nevojitet ai më së shumti, ai është gjithmonë aty”.

Dhe, përderisa debati se cili nga Messi dhe Ronaldo është më i mirë ka qenë duke u diskutuar që më shumë se një dekadë, Silva nuk dëshiron të bëhet pjesë e kësaj.

“Është një debat që është e padebatueshëm. Mendoj se ne duhet të ndihemi të privilegjuar që kemi mundësi t’i shikojmë të dy në të njëjtën kohë”, shtoi Silva.

“Ata janë dy ndër lojtarët më të mirë të të gjitha kohëve, për të mos thënë që janë më të mirët”. 

(Kosova Sot Online)