Trajnerët s’lejohen t’u afrohen gjyqtarëve, mund të ankohen me shkrim të nesërmen

  • 17 June 2020 - 15:40
Trajnerët s’lejohen t’u afrohen gjyqtarëve, mund të ankohen me shkrim të nesërmen

Futbolli në Premierligë kthehet sonte në orën 19:00 me përballjen mes Aston Villës dhe Sheffield Unitedit, e pastaj në orën 21:15 me derbin mes Manchester Cityt dhe Arsenalit, pas një pauze tremujore të detyrueshme shkaku i përhapjes së koronavirusit në botë. Por, futbolli do të kthehet këtë herë me disa ndryshime, ku përfshihen edhe kufizime të shumta për trajnerë.

Ndeshja mes Aston Villës dhe Sheffield Unitedit do ta rinisë kampionatin si ndeshja e parë nga gjithsej 92 të tilla të cilat do të zhvillohen të gjitha në një periudhë kohore prej 40 ditëve, para se sezoni të kompletohet më 26 korrik.

Ndeshjet do të zhvillohet prapa dyerve të mbyllura, pasi që moslejimi i tifozëve në stadiume është vetëm njëra ndër masat e ndërmarra për t’iu evituar infektimeve masive me koronavirus.

Ndër masat e ndërmarra është edhe urdhri i fundit që trajnerët e kanë marrë. Ata janë udhëzuar të mos u afrohen gjyqtarëve në stadium, shkaku i rregullave për distancim, por nëse kanë diçka për t’u ankuar, ta bëjnë këtë me shkrim 24 orë pas ndeshjeve.

Kushdo që e shkel këtë rregull, mund të përballet me ndonjë ndëshkim nga Federata e Futbollit e Anglisë, shkruan DailyMail.

Cfarë masa të tjera janë ndërmarrë:

– Të gjithë ndeshjet do të zhvillohen pa tifozë të pranishëm, ndërsa klubet e kanë të limituar numrin e stafit që mund ta sjellin në stadium – brenda stadiumit lejohen maksimalisht 300 njerëz.

– Stadiumet do të ndahen në tri zona: e kuqe (përfshirë fushën dhe zonën teknike të trajnerëve), e portokalltë (tribunat) dhe e gjelbër (hyrjet). Në të tria këto zona ka kufizime të ndryshme.

– Ekipet do të lejohen t’i bëjnë nga pesë zëvendësime, e jo tri, në ndeshje dhe mund t’i marrin nga nëntë lojtarë për në stol, jo nga shtatë.

– Nuk lejohen shtrëngimet e duarve mes lojtarëve para ndeshjes, ndërsa flamujt e kornerëve, shtyllat, topat dhe bankat rezervë duhet të pastrohen para dhe pas çdo ndeshjeje.

Një minutë heshtje do të mbahet për ata që kanë humbur  jetën shkaku i koronavirusit para ndeshjeve të para, ndërsa lojtarët do ta mbajnë në fanellë nga një logo në formë të zemrës për nder të mjekëve dhe infermierëve që kanë punuar gjatë kësaj kohe.

Për 12 ndeshjet e para pasi të rinisë kampionati, emrat e lojtarëve në fanella do të zëvendësohen nga  thënia “Black Lives Matter”(shqip: Jeta e njerëzve me ngjyrë ka rëndësi). Kjo vjen pas protestave në ShBA dhe vende të tjera të botës pas vdekjes së George Floyd. 

(Kosova Sot Online)