Zyrtare: UEFA konfirmon datat për ndeshjet e Kosovës

  • 17 June 2020 - 17:13
 Zyrtare: UEFA konfirmon datat për ndeshjet e Kosovës

Kosova do të përballet me Maqedoninë e Veriut në gjysmëfinale të play-off’t për kualifikim në Euro 2020 më 8 tetor, ka konfirmuar sot UEFA pas një takimi të Komitetit Ekzekutiv.

UEFA e ka konfirmuar se dy ndeshjet vendimtare që Kosova do t’i zhvillojë drejt kualifikimit në Kampionatin Evropian do të zhvillohen në tetor dhe nëntor.

Kosova është vetëm dy ndeshje larg kualifikimit për Kampionatin Evropian, pasi që është në gjysmëfinale të play-offs kualifikues për këtë garë, që u vendos të shtyhet nga vera e këtij viti në verën e vitit tjetër, raporton Gazeta Express.

Për shkak se Kampionati Evropian u vendos të zhvillohet nga 11 qershori deri më 11 korrik të vitit 2021, e jo në vitin 2020 siç ishte planifikuar fillimisht, edhe ndeshjet e play-offs për këtë garë janë shtyrë.

Kosova ishte e supozuar të luante kundër Maqedonisë së Veriut në gjysmëfinale të play-offs më 26 mars, ndërsa nëse e fitonte këtë përballje në Shkup do të kualifikohej në finalen e madhe të 31 marsit, kur do të luante si mysafire ose kundër Gjeorgjisë, ose kundër Bjellorusisë.

Ndeshja gjysmëfinale tani do të zhvillohet në pushimin e ndeshjeve të ekipeve kombëtare që nis më 8 tetor, ndërsa finalja në afatin që nis më 12 nëntor.

Në këto dy afate ishte planifikuar të zhvilloheshin nga dy ndeshje të Ligës së Kombeve, ndërsa tani do të shtohen edhe këto të play-offs.

(Kosova Sot Online)