Milani me ofertë zyrtare për futbollistin e Realit

  • 18 June 2020 - 19:29
 Milani me ofertë zyrtare për futbollistin e Realit

Objektivi kryesor i Milanit gjatë merkatos së verës është sulmuesi serb i Real Madridit, Luca Jovic, i cili ka pëlqimin e trajnerit të ardhshëm të kuqezinjve, Ralf Rangnick dhe për më tepër, në Milano do të gjente partnerin e tij të preferuar, Ante Rebic.

Reali i Madridit kërkon 50 milionë euro për kartoni ne serbit, të cilin e bleu për 60 milionë euro një vit më parë nga gjermanët e Eintrachtit të Frankfurtit, por në Milano nuk mund ta paguajnë këtë shifër ndaj po studiojnë një tjetër strategji.

Kështu mediat italiane raportojnë se kuqezinjtë kanë ofruar një huazim dy vjeçar, për të lehtësuar peshën e Jovic në bilancin e Realit të Madridit dhe më pas detyrimin për blerje për shifrën e 35 milionë eurove.

Marrëdhëniet e drejtuesve madrilenë me ata milanezë janë mjaft të mira dhe gjasat janë që shumë shpejt të kenë një marrëveshje që do të linte të kënaqur të dy palët, ndërsa Jovic dhe Rebic do të kenë mundësi të luajnë sërish në krah të njëri-tjetrit, ashtu si te Eintrachti një sezon më parë.

(Kosova Sot Online)