Neymar urdhërohet t’ia paguajë Barcelonës 6.7 milionë euro

  • A.P /
  • 19 June 2020 - 15:10
Neymar urdhërohet t’ia paguajë Barcelonës 6.7 milionë euro

Neymari është urdhëruar t’ia paguajë 6.7 milionë euro ish-klubit të tij, Barcelonës, pasi që Gjykata vendosi në favor të klubit katalonas në betejën ligjore mes klubit dhe futbollistit.

Braziliani dhe ish-futbollisti i Barcelonës kishte pretenduar se atij ia kishte borxh klubi katalonas 43.6 milionë euro. Megjithatë ky pretendim u hodh poshtë nga Gjykata dhe tani ai duhet t’ia paguajë Barcelonës 6.7 milionë euro.

“Barcelona e mirëpret vendimin e Gjykatës Sociale 15 të Barcelonës, në lidhje me padinë ligjore mes klubit dhe lojtarit Neymar Junior për kompensime të pretenduara për bonuset e rinovimit të tij të fundit të kontratës”, thuhet në reagimin e Barcelonës.

“Gjykata e hodhi poshtë plotësisht pretendimin e futbollistit, i cili kërkonte t’i paguheshin 43.6 milionë euro, ndërsa e ka vlerësuar një pjesë të madhe të pretendimit të bërë nga FC Barcelona, të cilës lojtari tani duhet t’ia kthejë 6.7 milionë euro”.

Neymari ka të drejtë ta apelojë këtë vendim. Vetë ai e kishte nisur këtë betejë ligjore me ish-klubin e tij në gusht të vitit 2017, pasi Barcelona s’kishte pranuar t’ia jepte bonusin e besnikërisë për kontratën e rinovuar në vitin 2016, pasi që Neymari ishte transferuar në Paris Saint-Germain verën vijuese.

Barcelona insistoi se klauzola lidhur me bonusin e besnikërisë u bë e pavlefshme kur futbollisti u largua nga Camp Nou, ndërsa agjenti dhe babai i futbollistit kërkoi që Barcelona të përjashtohet nga Liga e Kampionëve nëse s’ia jep 43.6 milionë eurot e pretenduara.

Rasti ishte dërguar fillimisht në FIFA, që i mbylli hetimet pa asnjë vendim në shkurt të vitit 2018, ndërsa tani gjykata ka vendosur në favor të Barcelonës. 


(Kosova Sot Online)