Bayerni merr fitore për prestigj, ia pamundëson Freiburgut daljen në Evropë

  • S.A /
  • 20 June 2020 - 17:30
Bayerni merr fitore për prestigj, ia pamundëson Freiburgut daljen në Evropë

Përkundër që tashmë e ka siguruar edhe matematikisht titullin e kampionit, Bayern Munichu e dëshmoi se s’e ka humbur motivin për ndeshjet e fundit, duke siguruar fitore me rezultat 3:1 kundër Freiburgut.

Freiburgu erdhi në Allianz Arena për ndeshjen e xhiros së 33-të të Bundesligës me shpresën për t’i marrë pikë Bayernit, në mënyrë që t’i rritë gjasat për kualifikim në Evropë, kundër një Bayerni që tashmë luan vetëm për prestigj. Por Bayerni arriti vazhdojë ecurinë në 15 fitore radhazi në ligë, kryesisht falë yllit polak të skuadrës, Robert Lewandowski, i cili e asistoi golin e parë dhe i shënoi dy të tjerat.

Fillimisht Bayerni kaloi në epërsi në minutën e 15-të të ndeshjes, falë golit të shënuar nga Joshua Kimmich, ndërsa nëntë minuta më vonë epërsinë e skuadrës së Hansi Flick e dyfishoi Lewandowski.

Freiburgu e bëri një tentim për t’u kthyer në lojë, duke shënuar përmes Lucas Holer në minutën e 33-të, mirëpo Bayerni arriti ta kthejë epërsinë prej dy golave vetëm katër minuta më vonë, kur Lewandowski e shënoi golin e tij të dytë.

Me këtë gol të dytë, Lewandowski u bë futbollisti i parë i huaj në Gjermani që i shënon më shumë sesa 31 gola në një sezon të vetëm në Bundesligë.

Tani Freiburgu do ta ketë të pamundur ta sigurojë daljen në Evropë, pasi që ka mbetur me katër pikë më pak sesa Hoffenheim, ndërsa ka mbetur edhe vetëm një xhiro deri në fund të sezonit.

Në anën tjetër, Dortmundi arriti ta mposhtë Leipzigun me rezultat 2:0 si mysafir, ndërsa Werder Bremeni i Milot Rashicës pësoi humbje zhgënjyese kundër Mainzit me rezultat 3:1.

(Kosova Sot Online )