Solskjaer reagon ndaj thirrjeve për kthimin e Henderson: De Gea është më i miri në botë

  • S.A /
  • 23 June 2020 - 13:45
Solskjaer reagon ndaj thirrjeve për kthimin e Henderson: De Gea është më i miri në botë

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e ka vlerësuar David de Gean si portierin më të mirë në botë, përderisa ka thënë se Dean Henderson  mund të bëhet portier i parë i Manchester Unitedit në të ardhmen.

Pritshmëritë për të ardhmen e Dean Henderson janë përmirësuar dukshëm në dy sezonet sa ai ka luajtur i huazuar për Sheffield Unitedin, pasi që paraqitjet e tij kanë qenë të mjaftueshme për ta dëshmuar se ai mund ta marrë pozitën e portierit të parë në Old Trafford. Henderson është vetëm 23-vjeçar dhe deri më tani nuk e ka pasur rrugën e lirë për ta dëshmuar veten në Teatrin e Ëndrrave pasi që atje e ka mbajtur pozitën e portierit të parë David de Gea.

Megjithatë, tani janë ngritur pyetje për të ardhmen e spanjollit De Gea, i cili është zgjedhur tri herë lojtari i vitit në klub, shkaku i gabimeve të shpeshta që i ka bërë gjatë këtij sezoni dhe që i kanë kushtuar me pikë Manchester Unitedit.

Kritikat me të cilat është përballur De Gea këtë sezon kanë bërë që të diskutohet se a ka ardhur koha që Manchester Unitedi t’ia japë një mundësi në formacion të parë Hendersonit.

Por, përkundër gabimeve të De Geas gjatë 18 muajve të fundit, Solskjaer beson se portieri spanjoll është më i miri në botë.

“David është portieri më i mirë në botë. Ai i ka pranuar dy gola në shtatë ndeshjet e fundit. Kemi luajtur kundër Cityt, Chelseat, Tottenhamit dhe Evertonit, por ai i ka marrë vetëm dy gola në shtatë ndeshje”, ka thënë Solskjaer.

I pyetur për Henderson, norvegjezi tha: “Është ndryshe të luash për Sheffield Unitedin e ndryshe për Manchester Unitedin. Këto janë të ndryshme. Ai ka pasur një zhvillim fantastik dhe statistikat e kanë dëshmuar vlerën e tij”.

“Ai po vazhdon të mësojë gjatë gjithë kohës, është një portier plot pasion dhe po zhvillohet me trajnim të mirë. Një ditë ai do të jetë numri një i Anglisë dhe Manchester Unitedit, por duhet të vazhdojë të zhvillohet”.

(Kosova Sot Online )