Programi i FIBA-s nis online, Granit Rugova përfaqëson Kosovën

  • G.G /
  • 23 June 2020 - 16:37
Programi i FIBA-s nis online, Granit Rugova përfaqëson Kosovën

Programi prestigjioz TIME-OUT 2.0 tani është duke u zhvilluar zyrtarisht përmes video-konferencave, me 52 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa.

Si vazhdim i programit jashtëzakonisht të suksesshëm FIBA TIME-OUT, projekti synon të promovojë edukimin përmes sportit, duke zhvilluar aftësi që, sportistët do të përdorin në karrierën e tyre në të ardhmen jashtë fushës.

Seminari hapës i TIME-OUT 2.0 u përqëndrua në prezantimin e moduleve për Biznesin e Sportit të udhëhequr nga ekspertë të FIBA-s, si dhe një përmbledhje të kursit të Lidershipit dhe Menaxhimit nga Shkolla e Biznesit e Universitetit Northumbria.

Pjesëmarrësit po ashtu do të mësojnë nga përvoja e të diplomuarve nga programi origjinal TIME-OUT, ku ata do të marrin këshilla nga bashkëmoshatarët e tyre dhe mësojnë si të udhëzojnë lojtarët e tjerë.

Seminari hapës ka përfshirë mysafirë të veçantë, si ish-ylli i ekipit kombëtar italian, Raffaella Masciadri, e cila aktualisht është Presidente e Komisionit të Atletëve të Komitetit Olimpik të Italisë dhe anëtare e Komisionit të Lojtarëve të FIBA-s, si dhe ish-kapiteni i ekipit kombëtar çek, Pavel Pumprla.

Pjesëmarrësit, të cilët përfaqësojnë 28 Federata Kombëtare Evropiane, do të kenë mundësi të ndjekin ligjëratat e Kady Kanoute Tounkara, i cili është anëtar i Komitetit të Karrierës dhe Drejtimit të IOC.

Pas këtij sesionit (22-26 Qershor), lojtarët do të vazhdojnë mësimin ‘online’ para se të ndjekin seminarin e dytë, të planifikuar për në fund të gushtit në Pragë, në Republikën e Çekisë.

Federatën e Basketbollit të Kosovës në këtë program prestigjioz e përfaqëson Granit Rugova, Drejtor i Përfaqësueseve të Kosovës. Ky projekt është unik dhe ka në shënjestër lojtarët elitë që janë pensionuar së fundi nga basketbolli dhe të cilët dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre në sportin jashtë fushës, ndërsa përbëhet nga një listë impresive, me emra të nderuar, duke përfshirë këtu kampionë olimpik, evropian dhe në nivel të klubeve.

Duhet theksuar se më herët këtë program me sukses e ka përfunduar Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, duke diplomuar në gjeneratën e programit FIBA TIME-OUT 2017/2018.

(Kosova Sot Online)