“Futbolli s’është asgjë pa tifozë” – Unitedi bëhet gati për kthimin në Old Trafford

  • S.A /
  • 24 June 2020 - 08:35
“Futbolli s’është asgjë pa tifozë” – Unitedi bëhet gati për kthimin në Old Trafford

Tifozët e Manchester Unitedit s’do të mundë të jenë fizikisht në Old Trafford për ndeshjen e së mërkurës kundër Sheffield Unitedit, megjithatë shumë prej tyre do të përfaqësohen me nga një foto në një mozaik multikombëtar në “Teatrin e Ëndrrave” për ndeshjen e parë në këtë stadium që nga marsi.

Drejtori ekzekutiv i Manchester Unitedit, Ed Woodward, është i bindur se Djajtë e Kuq do të arrijnë ta tejkalojnë mirë krizën e sjellë nga koronavirusi gjatë muajve të ardhshme, falë përkrahjes së klubit. Skuadra e Ole Gunnar Solskjaer tani është bërë gati të kthehen në Old Trafford për herë të parë që nga marsi, në ndeshjen e së martës në Premierligë kundër Sheffield Unitedit, që do të zhvillohet megjithatë pa tifozë të pranishëm.

Përderisa epërsia e të qenët vendas është venitur shkaku i mungesës së tifozëve, këta të fundit do të përfaqësohen në stadium nga një mozaik gjigant që do të jetë i mbështjellë rreth Old Trafford. Fotografi të 40 mijë tifozëve nga 193 vende të botës janë përdorur dhe Woodward e përdori këtë shembull për ta theksuar përkushtimin e klubit në luftën kundër racizmit. Si klub ne do të themi ‘faleminderit’ përmes pankartës “United (të bashkuar) për Heronjtë” që është vendosur në tribunën Sir Alex Ferguson, si dhe lojtarët do ta kenë logon e Shërbimit Mjekësor Kombëtar në fanellë”, ka thënë Woodward.

“Ju do të shihni edhe mesazhe të fuqishme kundër racizmit, në fanellat e lojtarëve dhe në tribuna. Ne jemi krenar që jemi bashkuar me lojtarët tanë dhe me pjesën tjetër të Premierligës për këtë kauzë tejet të rëndësishme”.

“Diversiteti, përfshirja dhe lufta kundër racizmit janë vlerat bazë të klubit tonë, përkrahja e së cilit i kalon kufijtë racor dhe kulturor. Kjo dëshmohet përmes mozaikut të përbërë nga mbi 400 mijë tifozë nga 193 vende të ndryshme”.

“Ne shpresojmë që ky mozaik do të jetë frymëzim për skuadrën si përkujtim për qindra miliona tifozët që do të jenë duke i përkrahur nga shtëpitë. Si thuhet edhe në pankartën e vendosur në Stretford End, që është thënie e Sir Matt Busby, “futbolli s’është asgjë pa tifozë” dhe ne mezi po presim që ju të ktheheni në Old Trafford kurdo që të jetë e sigurt”.

(Kosova Sot Online )