Pas katër muajve, kthehet edhe çiklizmi në Kosovë

  • S.A /
  • 24 June 2020 - 09:32
Pas katër muajve, kthehet edhe çiklizmi në Kosovë

Pas kthimit të shumë sporteve në Kosovë, edhe çiklizmi do të bëjë kthimin pas një pauze katërmujore shkaku i përhapjes së koronavirusit në vend.

Federata e Çiklizmit e Kosovës ka bërë të ditur se të dielën, më 28 qershor, është planifikuar të mbahet gara e parë pas ndërprerjes shkaku i pandemisë.

FÇK-ja e ka marrë këtë vendim në bazë të rekomandimeve nga institucionet shtetërore dhe në bashkëpunim me Klubin e Çiklizmit “Prizreni”.

Më 28 Qershor, nga ora 11:00 në shtegun e gjatë 32 km, do të kenë mundësi që të marrin pjesë të gjitha klubet e FÇK-së (përfshirë klubet e sapoformuara) si dhe qytetarët që janë entuziastë të çiklizmit.

Gara organizohet nga klubi nikoqir “Prizreni” dhe për qytetarët që duan të marrin pjesë, luten që të kenë helmetat dhe pajisjet tjera të nevojshme për të kaluar shtegun prej 32 km.

Me këtë garë, edhe zyrtarisht do të shënohet kthimi i garave të çiklizmit në Kosovë, pas pauzës së detyrueshme shkaku I rrethanave të krijuara nga pandemia e Covid-19.

(Kosova Sot  Online )