Vazhdon zënka: Gruaja e Vardyt padit gruan e Rooneyt

  • S.A /
  • 24 June 2020 - 10:43
Vazhdon zënka: Gruaja e Vardyt padit gruan e Rooneyt

Rebekah Vardy e ka paditur Coleen Rooneyn për shpifje, pas pretendimeve të bashkëshortes së Wayne Rooneyt se gruaja e Jamie Vardyt u ka dhënë informata për të mediave britanike.

Coleen Rooney, bashkëshortja e legjendës së Anglisë Wayne Rooney, e kishte akuzuar Rebekah Vardyn, gruan e sulmuesit të Leicester City dhe Anglisë Jamie, se i ka dërguar tabloidit britanik “The Sun” informata nga llogaria e saj private në Instagram.

Coleen i kishte bllokuar të gjitha llogaritë, përveç njërës, nga shikimi i llogarisë së vet, në përpjekje për ta zbuluar se kush po i shiste informacione tabloidit britanik nga llogaria e saj private.

 “Në muajt e fundit e kam postuar një varg tregimesh të rreme për të parë nëse ato do të shiteshin në gazetën Sun. Dhe e dini çfarë? Ato u shiten! Storia për përzgjedhjen gjinore në Meksikë, ajo për rikthimin në TV dhe më e fundit për vërshimet në bodrumin e shtëpisë sime të re”, kishte shkruar ajo.

“Ka qenë e vështirë ta mbaj në vete këtë dhe të mos komentoj, duke ditur që informacionet private më janë vjedhur, por m’u desh ta bëja. Tani e di sigurt se nga cila llogari/individual janë vjedhur. I kam ruajtur dhe fotografuar të gjitha storiet origjinale të cilat tregojnë qartë se vetëm një person i ka parë ato: llogaria e… Rebekah Vardy”.

Në një reagim, Vardy kishte thënë se ajo kurrë nuk ka folur me gazetarët për Rooney, edhe pse shumë prej tyre e kishin thirrur.

Ajo madje sugjeroi se fjalëkalimi i llogarisë së saj në Instagram mund të jetë vjedhur: “Nëse keni menduar se kjo ka mundur të të ndodhte ty, keni mundur të më tregonit dhe unë mund t’ia kisha ndryshuar fjalëkalimin llogarisë sime për ta parë nëse kjo do të ndalej”.

I gjithi ky skandal ishte bërë viral në rrjete sociale dhe tani Vardy ka nisur padi ligjore për shpifje ndaj Rooneyt.

Ende nuk është caktuar data se kur do të zhvillohet seanca gjyqësore për këtë rast, megjithatë mediat britanike raportojnë se dy palët mund të arrijnë marrëveshje për ta zgjidhur problemin jashtë gjykatave.

(Kosova Sot Online )