Lampard mohon të ketë bërë Chelsea ofertë për Havertz

  • G.G /
  • 24 June 2020 - 16:04
Lampard mohon të ketë bërë Chelsea ofertë për Havertz

Trajneri i Chelseat, Frank Lampard, thotë se klubi londinez nuk ka bërë ofertë për sulmuesin anësor të Bayer Leverkusenit, Kai Havertz.

Më herët këtë muaj u raportua se Chelsea dëshiron ta transferojë gjermanin 20-vjeçar gjatë afatit kalimtar të verës, përkundër që përballet me konkurrencë për të nga Bayern Munichu dhe Real Madridi..

Të Kaltrit e Londrës tashmë e kanë kompletuar transferimin e Timo Wernerit dhe Hakim Ziyechut, mirëpo Lampardi nuk pranoi ta konfirmonte nëse Chelsea po punonte për ta sjellë edhe Havertzin në Stamford Bridge.

“Ai është një top lojtar, por ne nuk mund t’i komentojmë lojtarët e ekipeve të tjera. Nuk mund të lejojmë të përqendrohemi në këtë”, ka thënë trajneri i Chelseat.

“Nuk kemi bërë asnjë ofertë”.

Kai Havertz e ka shijuar një sezon mbresëlënës për klubin e Bundesligës. Shkaku i paraqitjeve të tij – si në ligën gjermane, ashtu edhe në Evropë – ai pritet të ndërrojë klub gjatë afatit kalimtar të verës.

Treshja e Premierligës – Chelsea, Liverpool dhe Manchester United – raportohet të kenë shprehur interesimin për futbollistin gjerman, përderisa edhe Real Madridi vlerësohet si njëri ndër destinacionet e mundshme të 21-vjeçarit.

Në mesin e të gjithë këtyre spekulimeve, drejtori ekzekutiv i Leverkusenit, Fernando Carro, po shpreson se do të mundë ta bëjë një zgjidhje që t’i mbajë të gjithë të lumtur.

“Unë e kam parë që shumë klube janë të interesuara për të”, ka thënë Carro.

“Kai ka qenë me ne që 10 vjet. Unë e shoh dëshirën e tij për ta bërë hapin e ardhshëm në karrierë, që duhet ta respektojmë, ashtu siç duhet të respektohet fakti që ai ka kontratë me ne deri më 2022”.

“Ti duhet të tentosh ta gjesh një zgjidhje ku mund të takohet qëllimi i lojtarit më atë tonin. Për momentin, askush nuk mund ta thotë me siguri se çfarë do të ndodhë”. 

(Kosova Sot Online)