Kuka u del në mbrojtje presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit: Jemi përkrah jush

  • S.A /
  • 24 June 2020 - 18:39
Kuka u del në mbrojtje presidentit Thaçi dhe Kadri Veselit: Jemi përkrah jush

Trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka, u ka dalë në mbrojtje presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veselit – ndaj të cilëve u ngrit sot aktakuzë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) – duke e shprehur bindjen për pafajësinë e tyre.

Zyra e prokurorit në Gjykatën me bazë në Hagë e bëri sot publike aktakuzën ndaj presidentit Thaçi, Veselit dhe nëntë personave të tjerë.

Kuka e ka zgjedhur rrjetin social Facebook për ta shprehur krenarinë me luftën e UÇK-së dhe dy ish-pjesëtarët e saj të cilët sot akuzohen për krime lufte gjatë viteve 1998-99.

Trajneri i mirënjohur kosovar e ka zgjedhur një fotografi nga Lojërat Olimpike Verore në Rio të Brazilit në vitin 2016, në të cilën shihet me presidentin e Kosovës dhe fituesen e vetme dhe historike të medaljes së artë olimpike, Majlinda Kelmendin.

“Sot jemi përkrah jush Presidenti Thaçi dhe z.Kadri Veseli! Ishte krenari për ne që ishit prezent në fitoren e medaljes së artë Olimpike për Kosovën tonë! Krenar me luftën e pastër të UÇK! Jemi të bindur që do ktheheni të pafajshëm”, ka shkruar Kuka në Facebook.

(Kosova Sot Online )