Salah: Është radha jonë ta fitojmë Premierligën

  • S.A /
  • 25 June 2020 - 08:34
Salah: Është radha jonë ta fitojmë Premierligën

Sulmuesi i Liverpoolit, Mohamed Salah, beson tashmë i ka ardhur koha gjigantit anglez ta fitojë trofeun e Premierligës, pas fitores bindëse me rezultat 4:0 në ndeshjen kundër Crystal Palace të mërkurën.

Golat e shënuara nga Trent Alexander-Arnold, Mohamed Salah, Fabinho dhe Sadio Mane në Anfield bënë që skuadra e Jurgen Kloppit ta bëjë një tjetër hap drejt titullit të parë të ligës në 30 vjet.

Liverpooli mund të shpallet kampion i Anglisë qysh sot, nëse Manchester City dështon ta mposhtë Chelsean në Stamford Bridge.

Salah u shpreh shumë i lumtur që Liverpooli është vetëm dy pikë larg titullit të parë të kampionit të Anglisë që nga viti 1990.

“Ndihem për mrekulli. Që nga kur kam ardhur këtu, unë kam thënë se dëshiroja ta fitoja titullin e Premierligës me skuadrën. Ky qytet nuk e ka fituar këtë që një kohë të gjatë, kështu që ky ishte momenti i duhur”, ka thënë Salah.

“Ndoshta vitin e kaluar patëm mundësi ta fitojmë atë, por Manchester City performonte për mrekulli dhe ata e merituan titullin. Por, tani është radha jonë ta fitojmë këtë dhe është e mrekullueshme”.

(Kosova Sot Online )