Conte: Gabimet naive na kushtuan me pikë

  • S.A /
  • 25 June 2020 - 09:18
Conte: Gabimet naive na kushtuan me pikë

Trajneri i Interit, Antonio Conte, e pranoi se dështimi i skuadrës së tij në tentimin për t’i marrë tre pikë nga ndeshja kundër Sassuolo e vështirëson situatën për ta, mirëpo beson se vetëm disa gabime naive ia pamundësuan Interit ta marrë një fitore të merituar.

Interi u ndal nga Sassuolo me barazim 3:3 në një ndeshje dramatike të mërkurën, që praktikisht i lë zikaltrit jashtë garës për titull në Serie A.

Interi e kishte fitoren në dorë dy herë në dhjetë minutat e fundit të takimit, por Sassuolo u rikthye dy herë për ta barazuar rezultatin, përfshirë në minutën e 90-të për rezultatin final 3:3 në Giuseppe Meazza.

Ky barazim nënkupton se skuadra e Antonio Contes tani ngel tetë pikë prapa liderit Juventus, 10 javë para përfundimit të kampionatit.

“Mendoj se ne e merituam më shumë fitoren, duke marrë parasysh sa shumë raste krijuam. Ndërkohë, mua nuk po më vjen në mendje asnjë pritje e Samir Handanovicit”, tha Conte.

“Kjo është diçka që po vazhdon të përsëritet dhe jemi po e paguajmë shtrenjtë. Jam shumë i zhgënjyer dhe njëjtë ndihen edhe djemtë”.

“Kur luan kështu dhe ke aq shumë raste, kur e ke mundësinë ta marrësh një fitore përkundër vështirësive në repartin e mesfushës, duhet t’i marrësh tre pikët. Ne nuk e bëmë këtë – kjo është shqetësuese dhe zhgënjyese”.

“Ka disa situata kur ne patëm nevojë të shënonim gola dhe tani po paguajmë për ato gabime naive. Ne e patëm mundësi t’i realizojmë ato dhe nuk e bëmë këtë. Nuk e di çfarë mund të bëjmë tjetër përveçse të vazhdojmë të punojmë”.

(Kosova Sot Online)