Gazeta britanike: Çfarë ndodhi me “Messin e ardhshëm” – Edon Zhegrovën?

  • G.G /
  • 25 June 2020 - 15:49
Gazeta britanike: Çfarë ndodhi me “Messin e ardhshëm” – Edon Zhegrovën?

Më shumë se dhjetëra futbollistë janë cilësuar si “Messi i ardhshëm” në vitet e fundit, përfshirë yllin kosovar, Edon Zhegrovën.

Por asnjëri prej tyre nuk e ka arritur nivelin e lartë të superyllit të Barcelonës dhe Argjentinës, bile as që kanë qenë afër ndonjëherë.

Gazeta britanike “The Sun”, pyet se çfarë ndodhi me ta dhe me Edon Zhegrovën në veçanti.

“Edon Zhegrova u bë sensacion në vitin 2014 në YouTube, ku u publikuan gola fantasikë të, atëherë 15-vjeçarit, të cilat u shikuan nga mijëra persona”, shkruan Sun.

“Kalimi i tij në Arsenal, PSG dhe Barcelonë nuk ndodhi kurrë, por ndodhi në Genk, nga ku u huazua në Basel për 18 muaj dhe luajti disa ndeshje”.

Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës Zhegrova u kthye në Genk këtë verë, pas një qëndrimi njëvjeçar e gjysmë në Basel si lojtar i huazuar.

Klubi i Superligës së Zvicrës e kishte mundësinë ta blinte kosovarin për një shumë të vogël parash, por s’e shfrytëzoi atë.

Duke i parë paraqitjet e Zhegrovës këtë sezon, është e çuditshme që Baseli refuzoi t’i paguajë rreth 3.5 milionë euro për një lojtar të talentuar, por rol në tërheqjen e klubit zviceran nga një mundësi si kjo mund të ketë luajtur pandemia koronavirus, e cila u ka shkaktuar telashe financiare klubeve të futbollit.

Zhegrova i regjistroi dy gola dhe tri asiste në 14 paraqitje për Baselin këtë sezon, para se futbolli pezullohej dhe përfundimisht të anulohej në Zvicër shkaku i Covid-19.

Në Zvicër ishin të bindur se Baseli do ta blinte kosovarin qysh pas një ndeshjeje në muajin dhjetor. Zhegrova ishte shpallur lojtari i ndeshjes në fitoren e Baselit 3:0 kundër Young Boys, në derbin për kreun e Superligës.

Ai e kishte shënuar një gol dhe e kishte dhuruar një asist në një paraqitje të paharrueshme. 

(Kosova Sot Online)