Java e 31-të nis me sfidat Partizani-Laçi dhe Flamurtari-Luftëtari, të kuqtë vetëm fitorja i mban në garë për Europën!

  • E.K /
  • 27 June 2020 - 11:20
 Java e 31-të nis me sfidat Partizani-Laçi dhe Flamurtari-Luftëtari, të kuqtë vetëm fitorja i mban në garë për Europën!

Java e 31-të e Kategorisë Superiore ngre siparin këtë të shtunë me dy sfida shumë interesante.

Europa për Partizanin kalon nga sfida me Laçin.

Të kuqtë dhe kurbinasit janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë që në raundin e 1/8-ave dhe kanë patur një javë kohë për të përgatitur këtë sfidë delikate për të dyja skuadrat. Laçi aktualisht pozicionohet në vendin e 3-të dhe për momentin është skuadra e fundit që siguron një vend në kompeticionet europiane për sezonin e ardhshëm.

5 pikë është diferenca mes kurbinasve dhe Partizanit të Adolfo Sormanit që u rikthye në rrugën e duhur pas dy fitoreve rresht ndaj dy kudërshtarëve të rënë nga kategoria, Luftëtarit dhe Flamurtarit, por prova e vërtetë gjenerale për kampionët e Shqipërisë është sfida ndaj skuadrës së Armando Cungut.

Laçi gjithmonë ka rezultuar një kockë e fortë për Partizanin teksa në 6 sfidat e fundit të kuqtë kanë fituar vetëm 2 herë. Skuadra e Cungut do të kënaqej edhe me një barazim në këtë duel ndërkohë që Partizanin, fitorja është treni i fundit për Europën duke patur parasysh që edhe kalendari sa vjen e vështirësohet.

Në orën 17:00 përveç takimit Partizani-Laçi do të keni mundësi të ndiqni edhe sfidën Flamurtari-Luftëtari, një ndeshje mes dy skuadrave që vitin e ardhshëm do të sfidohen në Kategorinë e Parë.

Me një fitore Flamurtari do të parakalonte pikërisht bluzinjtë në renditje dhe një sukses në këtë ndeshje konsiderohet i rëndësishëm për vetë faktin pasi luhet për të evituar pozicionin e fundit në renditje.

(Kosova Sot Online)