Agim Ibraimi largohet zyrtarisht nga Shkëndija!

  • G.G /
  • 27 June 2020 - 14:29
Agim Ibraimi largohet zyrtarisht nga Shkëndija!

Zgjati vetëm një sezon e gjysmë aventura e Agim Ibraimit te Shkëndija e Tetovës.

Me një komunikatë zyrtare klubi kuqezi ka bërë të ditur ndërprerjen e bashkëpunimit me mesfushorin me tipare sulmuese i cili në moshën 31-vjeçare duhet të kërkojë një destinacion të ri për të vijuar karrierën.

Largimi i Ibraimit mund të konsiderohet një lajm surprizues edhe pse duhet theksuar se në 1 sezon e gjysmë me kuqezinjtë tetovarë futbollisti i përfaqësueses së Maqedonisë nuk dha më të mirën e tij duke shënuar vetëm 7 gola në 36 takime në kampionat.

Komunikata e plotë e Shkëndijës së Tetovës:

Agim Ibraimi nuk është më pjesë e kuqezinjëve, pasi me marrëveshje të dyanshme ndërpritet bashkëpunimi.

KF Shkëndija komunikon ndërprerjen e bashkëpunimit me Agim Ibraimin. Kryesia dhe futbollisti me marrëveshje të dyanshme kanë vendosur se ndarja në këtë moment është në interes të të dy palëve.

KF Shkëndija me këtë rast falemenderon Agim Ibraimin për kontributin e dhënë në periudhën që ishte pjesë e kuqezinjëve, duke i uruar gjithë të mirat në të ardhmen.

(Kosova Sot Online)