Ekipi i Rashicës mban gjallë shpresat për mbijetesë në Bundesligë, në kurriz të ekipit të Berishës

  • G.G /
  • 27 June 2020 - 17:25
Ekipi i Rashicës mban gjallë shpresat për mbijetesë në Bundesligë, në kurriz të ekipit të Berishës

Werder Bremeni i Milot Rashicës ka arritur t’i mbajë gjallë shpresat për mbijetesë në Bundesligë për sezonin e ardhshëm, pasi që është ngritur në pozitën e 17-të që ia siguron vendin në play-offs për mbijetesë. Por, ky lajm i mirë për Rashicën i kushtoi bashkëlojtarit të tij në Kombëtaren e Kosovës, Valon Berisha, ekipi i së cilit do të garojë në Bundesligën 2 për sezonin e ardhshëm.

Përkundër lëndimit që e pësoi në seancën stërvitore të Werder Bremenit të mërkurën, Milot Rashica arriti të rikuperohet në kohë për të luajtur në ndeshjen kundër Kolnit në ditën finale të sezonit 2019/20 të Bundesligës.

Në fitoren me rezultat 6:1, Rashica kontribuoi me një supergol dhe me një asist, duke i dhënë kështu fund ecurisë së tij prej 17 ndeshjeve të ligës pa shënuar gol. Kjo fitore bëri që Bremeni të ngrihet në pozitën e 17-të në tabelë, që ta siguron një vend në play-offs për mbijetesë, nga pozita e 18-të.

Bremeni do të luajë në play-offs kundër klubit që do ta zërë vendin e tretë në Bundesligën 2 për ta caktuar se cili nga këto dy ekipe do të luajë në ligën elitare sezonin e ardhshëm.

Pas kësaj fitore të Werder Bremenit, në pozitën e 18-të në tabelë tani radhitet Fortuna Dusseldorf e Valon Berishës dhe që do të bjerë automatikisht në Bundesligën 2.

Dusseldorfi pësoi disfatë me rezultat 3:0 në ndeshjen kundër Union Berlinit që u zhvillua sot, duke rënë kështu në pozitën e 18-të, që do të thotë se sezonin tjetër nuk do të garojë më në ligën elitare të Gjermanisë.

Valon Berisha, i cili është i huazuar në Dusseldorf nga Lazio vetëm deri në fund të këtij muaji, nuk ishte titullar në këtë ndeshje. Gjatë verës pritet të bëhet më e qartë e ardhmja e tij – nëse do të jetë në Lazio apo në ndonjë klub tjetër. 

(Kosova Sot Online)