Valencia riemëron trajnerin e njëjtë për herë të gjashtë

  • S.A /
  • 30 June 2020 - 09:04
Valencia riemëron trajnerin e njëjtë për herë të gjashtë

Valencia e ka shkarkuar trajnerin Albert Celades, pas një ecurie të dobët të rezultateve. Në postin e trajnerit tani do të kthehet një fytyrë e njohur për klubin dhe lojtarët.

Ndihmëstrajneri Voro do ta marrë në drejtim ekipin e parë si trajner i përkohshëm deri në fund të sezonit 2019/20 të La Ligës. Kjo do të jetë hera e gjashtë e tij si trajner i Valencias.

Voro, i cili edhe kishte luajtur për klubin si lojtar për nëntë vjet, më parë i kishte fituar 18 nga 36 ndeshjet që i kishte zhvilluar me Valencian si trajner i përkohshëm.

Valencia e ka fituar vetëm njërën nga pesë ndeshjet e zhvilluara në La Liga që nga kthimi nga pauza tremujore shkaku i koronavirusit. Ndërsa, klubi spanjoll s’ka arritur të marrë më shumë se dy fitore as në 13 ndeshjet paraprake në të gjithë garat.

Celades, i cili e mori klubin nga Marcelino në shtator, e lë klubin në pozitën e tetë në tabelën e La Ligës, tetë pikë larg vendit kualifikues për Ligën e Kampionëve.

Valencia, që do të përballet tani me Athletic Bilbaon në La Liga, e ka konfirmoi gjithashtu se edhe drejtori sportiv, Cesar Sanchez, ka dhënë dorëheqje.

(Kosova Sot Online )