Busquets: Tani e kemi të vështirë ta fitojmë titullin e La Ligës

  • 01 July 2020 - 09:03
Busquets: Tani e kemi të vështirë ta fitojmë titullin e La Ligës

Mesfushori i Barcelonës, Sergio Busquets, e ka pranuar se katalonasit do ta kenë të vështirë ta mbrojnë titullin e kampionit të La Ligës, pas barazimit me rezultat 2:2 kundër Atletico Madridit të martën.

Lionel Messi e shënoi golin e 700-të në karrierë, mirëpo kjo nuk ishte e mjaftueshme për Barcelonën t’i marrë tre pikët e ndeshjes në Camp Nou, pasi që Saul Niguez i shënoi dy penallti për t’i fituar një pikë Atleticos.

Ky barazim e lë Barcelonën një pikë prapa liderit të ligës, Real Madridit, që mund të kalojë në epërsi prej katër pikësh me fitore kundër Getafes të enjten.

Deri në fund të sezonit, Barcelona ka kohë edhe pesë xhiro për ta përmbysur situatën. Mirëpo, Busquets është i vetëdijshëm se ata s’e kanë më fatin e tyre në dorën e vet.

“Shikoni, të luftosh për titull është me të vërtetë e komplikuar kur i humb nga dy pikë në çdo ndeshje. Por, ne do të luftojmë deri në fund”, tha spanjolli.

“Ne e dimë që është e vështirë, por do të tentojmë. Ata janë një rival i vështirë. Ne dominuam dhe krijuam raste, mirëpo u penalizuam nga dy penalltinë – është një turp i vërtetë”.

“Ne ishim liderë dhe ishim në pozitë të mirë para ndërprerjes së sezonit. Mendoj se ka qenë e vështirë për ne që nga atëherë. Në disa ndeshje kemi luajtur më mirë, në disa jo”.

“Të humbasim pikë edhe sot e edhe në fundjavë bën që të jemi më larg qëllimit tonë, që është ta mbrojmë titullin e kampionit. Mendoj se luajtëm mirë sot, por e kemi një detyrë të vështirë para vetes”.

(Kosova Sot Online )