Sarri, i lumtur me bashkëpunimin mes Ronaldos dhe Dybalas: Diçka ka ndryshuar

  • S.A /
  • 01 July 2020 - 09:35
Sarri, i lumtur me bashkëpunimin mes Ronaldos dhe Dybalas: Diçka ka ndryshuar

Trajneri i Juventusit, Maurizio Sarri, është shprehur i lumtur me dyshen e sulmit – Cristiano Ronaldo dhe Paulo Dybala – pas paraqitjeve të tyre me gola, përderisa i ka lavdëruar për bashkëpunimin mes vete.

Paulo Dybala dhe Cristiano Ronaldo shënuan gola të bukur në fitoren e Juventusit me rezultat 3:1 kundër Genoas, përmes së cilës bardhezinjtë e mbajtën epërsinë prej katër pikësh në krye të tabelës së Serisë A.

Fillimisht kishte pasur dyshime se a mund të luajnë Dybala dhe Ronaldo në të njëjtin formacion, mirëpo dyshja shkëlqeu në ndeshjen e së martës, duke fituar kështu edhe lëvdata nga trajneri pas ndeshjes.

“Diçka ka ndryshuar sa u përket lëvizjeve në fushë, por ata duhet të mësojnë ta shikojnë njëri-tjetrin më shpesh”, tha Sarri.

“Ata e kanë kuptuar se duke përfituar nga njëri-tjetri, të dy shpërblehen. Kjo është diçka që e kam vërejtur edhe në seanca stërvitore”.  

Goli i shënuar të martën nga Ronaldo ishte i 28-ti në këtë sezon për të. 14 prej këtyre golave Ronaldo i ka shënuar në ndeshjet e vitit 2020, më së shumë se cilido lojtar tjetër në Serie A.

(Kosova Sot Online )