Zidane, krenar me lojtarët e Realit: Pa vuajtur s’mund të arrish asgjë

  • S.A /
  • 03 July 2020 - 09:55
Zidane, krenar me lojtarët e Realit: Pa vuajtur s’mund të arrish asgjë

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, tha se është krenar me lojtarët e tij, të cilët e kaluan një test të vështirë kundër Getafes të enjten, përderisa insistoi se “s’mund të arrihet asgjë pa vuajtur”.

Kapiteni Sergio Ramos ishte heroi i ndeshjes, pasi që e shënoi golin e vetëm, nga pika e penalltisë në minutën e 79-të të ndeshjes, në fitoren e liderëve të La Ligës në shtëpi të enjten.

Kjo ishte fitorja e gjashtë radhazi e Real Madridit, që e rriti epërsinë ndaj Barcelonës. Tani Los Blancos mbajnë kreun e tabelës me katër pikë epërsi, ndërsa deri në fund të sezonit kanë mbetur vetëm edhe pesë ndeshje.

“Këto janë tri pikë, tri pikë të rëndësishme. Ne u desh të fitojmë, por asgjë më shumë. Për neve asgjë nuk ka ndryshuar, na kanë mbetur edhe pesë finale deri në fund. Ne nuk kemi fituar asgjë. Unë e di se si shkon deri në fund, s’mund të themi asgjë tani”, ka thënë Zidane.

“Ne duhet të vazhdojmë të punojmë. Jemi të lumtur dhe krenarë me skuadrën, për punën që po e bën. Kjo është një gjë shumë e mirë. Ky është futbolli, por futbolli çdo tre ditë është histori tjetër”.

“Sot vuajtëm shumë, edhe atë ditë kundër Espanyolit gjithashtu. Ne luajtëm kundër klubit të fundit në tabelë, mirëpo ata gjithmonë ta vështirësojnë punën. Pa vuajtje s’mund të arrish asgjë”.

(Kosova Sot Online )