Vettel zbulon detaje, tregon si u befasua nga vendimi i Ferrarit

  • S.A /
  • 03 July 2020 - 17:25
Vettel zbulon detaje, tregon si u befasua nga vendimi i Ferrarit

Sebastian Vettel deklaron se ka mbetur i befasuar nga vendimi i drejtuesve të Ferrari-t, për të mos t’i ofruar një kontratë të re.

4 herë kampioni i botës në Formula 1 shpjegoi se për të ishte një surprizë e madhe telefonata e drejtuesit më të lartë të Ferrarit Mattia Binotto, ku pilotit gjerman iu komunikua lajmi se nuk do t’i rinovohej kontrata, për të shtyrë qëndrimin e tij në Maranello.

Piloti nga Heppenheimi që mbushi 33-vjeç pikërisht ditën e premte foli për herë të parë që nga momenti i zyrtarizimit të lajmit të largimit të tij nga skuadra e kuqe në fundin e këtij sezoni dhe Seb hodhi dritë mbi disa detaje në lidhje me rrethanat dhe ngjarjet që çuan në një vendim të tillë.

Vettel qartësoi se drejtuesit nuk u ulën kurrë me të, për të biseduar, apo për t’i ofruar kushtet e një kontrate të re. I pyetur në lidhje me shkaqet që mund të kenë influencuar në marrjen e një vendimi të tillë 4-herë kampioni i botës deklaroi se sipas tij nuk kishte ndonjë arsye të veçantë, madje telefonata e drejtorit të përgjithshëm të Ferrarit e befasoi vërtet pa masë. Vettel tha se Mattia Binotto i shpjegoi pa shumë rezerva faktin që nga skuadra mungonte dëshira për të vazhduar akoma bashkëpunimin ndërmjet palëve.

Piloti gjermani këmbënguli në faktin që drejtuesit e skuadrës italiane nuk i ofruan kurrë mundësinë e rinovimit të kontratës dhe kjo gjë e ka prekur shumë, sepse sipas tij ai nuk kishte lënë shkak për një reagim të tillë.

33-vjeçari shtoi se nuk ka patur bisedime me ndonjë skuadër tjetër, për të garuar vitin e ardhshëm, megjithëse bën jo pak përshtypje deklarata e fortë e tij, se nëse nuk do t’ia dalë për të gjetur një ambjent të përshtatshëm, ku të ndihet mirë, ai do të fillojë të përgatisë veten për t’u larguar fare nga Formula 1.

Seb rrëfeu se nuk është ulur ende për të biseduar me ndonjë ekip, pasi kërkon që të ecë përpara, duke bërë zgjedhjen e duhur si për veten ashtu edhe të ardhmen e tij.

Piloti nga Landi i Hesse-s tha se ka një natyrë kompetitive dhe pavarësisht se ka arritur shumë suksese në sportin e Formulës 1 ndihet i motivuar për të siguruar të tjera fitore në këtë sport, e për të arritur diçka të tillë vijoi ai fjalën e tij nevojitet makina e përshtatshme dhe njerëzit e duhur, prandaj është duke pritur edhe momentin e duhur për të bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme.

Piloti gjerman që fitoi katër tituj radhazi me ekipin Red Bull në vitet 2010, 2011, 2012 e 2013 shto

i se do të shqyrtojë rastet dhe do të presë rastin e duhur, përndryshe do të shikojë për ndonjë alternativë tjetër në një aktivitet të ndryshëm nga Formula 1. Ai deklaroi se nuk do të kërkojë më kot ta zgjasë karrierën e tij, nëse e ndjen që nuk do të ketë motivimin e nevojshëm, kështu që kur të ndodhë kjo do të vendosë për t’u tërhequr pa hezituar aspak. Vettel vijoi fjalën e tij dukë shpjeguar se nëse i vjen mundësia e duhur do të vazhdojë karrierën në këtë sport, pasi e ndjen që ka ende shumë për të dhënë. Nëse nuk do t’i vijë një rast i tillë Seb qartësoi se nuk do t’i zvarrisë gjërat, për të zgjatur më kot karrierën e tij siç kanë bërë shumë pilotë të tjerë, por do të përgatisë veten për t’i mbyllur derën Formulës 1 njëherë e përgjithmonë.

33-vjeçari e mbylli deklaratën e tij duke shtuar se i vjen mirë që më në fund sezoni në këtë sport po starton dhe sipas tij në javët apo muajt në vazhdim gjithçka do të jetë më e qartë në lidhje me të ardhmen. Sezonin e kaluar Sebastian Vettel fitoi thjesht garën e Çmimit të Madh të Singaporit në muajin shtator dhe e mbylli vitin me vetëm dy pole position në Montreal dhe Suzuka, duke u klasifikuar në renditjen përfundimtare në pozicionin e pestë, me vetëm 240 pikë gjithsej, prapa madje edhe vetë shokut të tij të skuadrës te ekipi Ferrari, pilotit nga Montecarlo Charles Leclerc. Më në fund pas shumë shtyrjeve për shkak të ndërprerjes së kuptueshme, për arsye të masave shtrënguese dhe izolimit të gjatë prej pandemisë së koronavirusit edicioni i 71-të në Formula 1 do të startojë këtë fundjavë në Kontinentin e Vjetër me Çmimin e Madh të Austrisë, garë që do të mbahet në pistën e Red Bull-it, A-1 Ring në Spielberg.

(Kosova Sot Online )