Mourinho: Zënka mes dy yjeve të Tottenhamit ishte e bukur

  • S.A /
  • 07 korrik 2020 - 08:47
Mourinho: Zënka mes dy yjeve të Tottenhamit ishte e bukur

rajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, ka thënë se zënka fizike mes dy lojtarëve të tij, Hugo Lloris dhe Heung-min Son, gjatë fitores me rezultat 1:0 kundër Evertonit të hënën ishte “e bukur”.

Përkundër që Tottenhami ishte në epërsi minimale pas pjesës së parë, Lloris dhe Son u kapën mes vete dhe u desh të ndahen nga Giovani Lo Celso dhe Harry Winks përderisa portieri francez e konfrontoi në mënyrë agresive sulmuesin koreano-jugor.

Dyshja i zgjidhi problemet mes vete pas pjesës së parë, ndërsa Tottenhami arriti ta fitojë ndeshjen me autogolin e shënuar nga Michael Keane në minutën e 24-të, që mbeti e vetmja në këtë ndeshje.

Llorisi e pranoi se ai ishte zemëruar shkaku i mungesës së presionit ndaj kundërshtarëve nga bashkëlojtarët e tij, ndërsa Mourinho sugjeroi se mosmarrëveshja kishte lindur shkaku i paraqitjes së dobët të skuadrës.

“Ishte e bukur. Ndoshta ishte pasojë e ndonjërit prej takimeve tona. Nëse dëshironi ta fajësoni dikë për këtë, ai jam unë. Unë isha kritik për djemtë e mi sepse ata, sipas meje, nuk janë mjaftueshëm kritikë për veten dhe njëri-tjetrin”, ka thënë Mourinho.

“Unë u kam kërkuar atyre të jenë vetë më kërkues. U kam kërkuar atyre të kërkojnë më shumë nga njëri-tjetri. Në fund të pjesës së parë e kishim një situatë ku kapiteni mendoi se një djalosh që të gjithë e duan, Sonny, duhet të jepte më shumë nga vetja”.

“Kishte disa fjalë të këqija, s’jam i sigurt nëse e shtynë njëri-tjetrin apo jo, por kjo është një gjë shumë e rëndësishme për skuadrën sepse për t’u rritur si skuadër duhet të kërkosh më shumë nga njëri-tjetri. Duhet të kesh personalitete të mëdha”.

“Isha me të vërtetë i kënaqur. Pas pjesës së parë u thash atyre, kur e patët këtë reagim nuk e pata asnjë dyshim se do të rrinit bashkë deri në fund”.

(Kosova Sot Online )