Sponsori i Interit: Ne mund t’i ndihmojmë klubit ta transferojë Messin

  • S.A /
  • 07 July 2020 - 10:13
Sponsori i Interit: Ne mund t’i ndihmojmë klubit ta transferojë Messin

Drejtori ekzekutiv i kompanisë Pirelli, Marco Tronchetti, thotë se kompania e tij, që është sponsore e klubit zikaltër, mund t’i ndihmojë klubit italian ta transferojë yllin e Barcelonës, Lionel Messin, por presidenti i klubit, Steven Zhang, duhet t’i bëjë hapat e parë vetë.

E ardhmja e Lionel Messit është edhe një herë tjetër në qendër të vëmendjes mes lajmeve se kapiteni i Barcelonës është gati të largohet nga gjiganti i La Ligës kur kontrata e tij aktuale të skadojë në vitin 2021.

Interi ka qenë edhe më parë i spekuluar për transferimin e Messit, ndërsa ish-presidenti Massimo Moratti kishte insistuar se transferimi i gjashtë-herë fituesit të Topit të Artë në Inter nuk është ëndërr e ndaluar.

Megjithatë, Tronchetti paralajmëroi se kriza e koronavirusit do ta ndikojë aftësinë e Pirellit për të kontribuar ashtu siç kishte bërë kompania Fiat kur e kishte ndihmuar Juventusin ta transferojë Cristiano Ronaldon nga Real Madridi në vitin 2018.

“Sinqerisht, në një kohë si kjo, ne e kemi të pamundur të investojmë në sporte më shumë sesa që po bëjmë tani. Ne duhet t’i kërkojmë Steven Zhangut të tentojë vetë”, ka thënë Tronchetti, i pyetur për Messin.

“Ne mund t’u ndihmojnë, por s’mund të bëjmë asgjë domethënëse”.

(Kosova Sot Online )