Alarmohet Superliga: Dy lojtarë të Vushtrrisë me simptoma të koronavirusit

  • A.P /
  • 07 July 2020 - 13:14
Alarmohet Superliga: Dy lojtarë të Vushtrrisë me simptoma të koronavirusit

Koronavirusi e ka rrezikuar seriozisht Superligën e Kosovës në futboll sidomos tani kur COVID-19 është përhapur me të madhe në vendin tonë.

Dy futbollistë të Vushtrrisë po përjetojnë simptoma të këtij virusi, i cili është prezent rrezikshëm në Vushtrri. Këtë e ka bërë të ditur drejtori i klubit bardh e kaltër, i cili ka alarmuar se edhe dy klube tjera kanë mundur të infektohen nga ndeshjet e tyre që i kanë zhvilluar me Vushtrrinë. Bëhet fjalë për Flamurtarin dhe Ballkanin, të cilat luajtën në dy xhirot e fundit me Vushtrrinë në kuadër të garës kampionale, e cila deri në fund duhet t’i zhvillojë edhe pesë xhiro të mbetura.

 

“Dy futbollistë janë me simptoma të “Covid-19”, që të dyve ua janë shfaqur pas ndeshjes së fundit me KF Flamurtarin. Për momentin ata janë të izoluar por ne e kemi kuptuar vetëm pas ndeshjes, madje njëri prej tyre është në gjendje të rëndë. Ditëve në vijim pritet të testohen, por Federata e Futbollit të Kosovës duhet të merr masa dhe të testohemi të gjithë, së bashku me dy klubet që jemi përballur dy xhirot e fundit, që janë KF Ballkani dhe KF Flamurtari”, ka thënë për Insport kryetari i klubit vushtrrias Bajrush Kajtazi. Sipas Kajtazit, simptomat e tyre janë temperaturë dhe lodhje. Pas ndeshjes me Flamurtarin, njëri prej tyre në dhomat e zhveshjes ka shqetësuar gjithë skuadrën pasi gjendja e tij ishte e rëndë.

Vushtrria në xhiron e 28-të ishte nikoqire e KF Flamurtarit në kuadër të IPKO Superligës së Kosovës. Kjo ndeshje përfundoi me rezultat baras 2:2. Ndeshjen e radhës Vushtrria duhet ta zhvillojë të enjten kundër Trepçës ’89 dhe mbetet të shihet nëse kjo ndeshje do të shtyhet apo do të bëhen teste paraprake. 

(Kosova Sot Online)