Setien: Natyrisht që mund ta fitojmë La Ligën

  • A.P /
  • 07 July 2020 - 14:59
Setien: Natyrisht që mund ta fitojmë La Ligën

Trajneri i Barcelonës, Quique Setien, është shprehur i bindur se skuadra e tij mund të shpallet kampione e La Ligës këtë sezon, përkundër epërsisë që e ka krijuar Real Madridi në krye të tabelës.

Quique Setien e mori në fillim të këtij viti detyrën e trajnerit të Barcelonës, pasi që drejtuesit dhe tifozët e klubit nuk ishin të kënaqur paraqitjet dhe rezultatet e klubit nën drejtimin e Ernesto Valverdes, i cili megjithatë e fitoi titullin e La Ligës në dy sezonet sa ishte aty.

Tani, kjo detyrë po rezulton të jetë mjaft e vështirë për Setienin, pasi që Barcelona ka mbetur katër pikë prapa liderit Real Madridit në krye të tabelës, përderisa Los Blancos e kanë edhe epërsinë nga ndeshjet e drejtpërdrejta.

Por, kjo s’e ka ndalur Setienin nga të shprehurit optimist për qëllimin e Barcelonës që të triumfojë në Camp Nou.
 

“Natyrisht që mund ta fitojmë La Ligën. Realiteti dhe matematika e dëshmon këtë. Nuk është e lehtë, por ti duhet të shpresosh dhe të presësh deri në ditën e fundit”, ka thënë Setien.

“Ne duhet të mendojmë për vete dhe ta fitojmë çdo ndeshje. Edhe vetëm kjo është një hap përpara. Gjithçka që ne bëjmë do të jetë e vlefshme edhe për garën e ardhshme, Ligën e Kampionëve”.

Katalonasit do ta presin Espanyolin në Camp Nou të mërkurën dhe, nëse ata duan të vazhdojnë t’i bëjnë presion Real Madridit, do të duhet t’i marrin tre pikë nga kjo ndeshje.

(Kosova Sot Online)